E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi i përgjigjet interesimit të mediave për çështjen e Ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.

6 mars 2009

Në përfundim të vizitës së tij në Muzeun Historik Kombëtar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndonjë koment të tij lidhur me ngjarjen e ndodhur me z. Pango.

“Unë kam ardhur për promovimin e një ekspozite për komunitetin rom dhe ju më bëni në pyetje, që, e kam thënë dhe herë të tjera, Presidenti mundohet t’i shmanget në linjë institucionale komenteve, pasi ai shprehet me dekret. Ju siguroj që me të ardhur në tryezë propozimi i Kryeministrit, nuk kanë kaluar shumë minuta dhe unë kam dekretuar shkarkimin, veprim, i cili flet qartë! Besoj jeni ju personat, që bëni komentet në funksion të veprimit, por unë i mbetem gjithmonë atij parimi që Presidenti shprehet nëpërmjet dekretit”, - tha Kryetari i Shtetit.

Interesimit të gazetarëve lidhur me dekretimin e Ministrit të ri të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Presidenti i Republikës iu përgjigj: “Kam dëgjuar për emërimin e zotit Ardian Turku. Në linjë zyrtare propozimi ende nuk ka arritur në Presidencë, por paraprakisht mund të them që e vlerësoj personalitetin e z. Turku dhe, pa pikë mëdyshjeje, duke e njohur nga afër dhe aktivitetin e tij, personalitetin e tij, ai do të dekretohet në momentin më të parë që do të arrijë propozimi në zyrën time”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›