E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prifilmfest”, kineastë nga gjithë bota në Prishtinë

14/04/2009  Intervistë me regjisorin Fatos Berisha, drejtor artistik i festivalit të filmit

Një tjetër festival i filmit artistik të metrazhit të gjatë i shtohet hapësirës shqiptare. Për herë të parë do të vendoset në Prishtinë dhe do të mbledhë artistë e prodhime artistike nga e gjithë bota. I pagëzuar “Prifilmfest”, do të startojë në qershor të këtij viti në Prishtinë dhe premton mjaft surpriza, duke filluar që nga të ftuarit. Mjafton të përmendet emri i aktores së njohur angleze Vanesa Redgrave, e cila mendohet të jetë e pranishme si kryetare nderi e bordit të festivalit, për të mos vijuar më tej te filmat pjesëmarrës e kështu me radhë. Pa dyshim në këtë festival edhe Shqipëria do të ketë vendin e saj të prezantimit përmes një përzgjedhjeje që ende nuk ka mbaruar. “Kemi qenë deri vonë në pritje të konfirmimit nga Gjergj Xhuvani që filmin e tij "Lindje-Perëndim-Lindje" ta shfaqim premierë në "Prifilmfest", por ai ka vendosur që premierën ta bëjë në shtator në Venecie. Ndërkohë jemi në negociata për disa filma të tjerë të regjisorëve shqiptarë.

Ajo që mund të konfirmoj me siguri është se do të ketë filma nga katër anët e botës: Kroacia, Bosnja, Maqedonia etj., filma evropianë dhe amerikanë e gjithashtu edhe nga Afganistani dhe Irani”, - vëren drejtori i “Prifilmfest” Fatos Berisha, ndërsa shpjegon se për festivalin po punohet prej dy vjetësh dhe se ka ende shumë rrugë përpara.

- Tashmë dihet se festivali “Prifilmfest” mbahet në qershor, ku jeni në “itinerarin” e përgatitjeve?

- Jemi në fazën përfundimtare të grumbullimit të fondeve, organizimit teknik, përmbylljes së listës së filmave dhe mysafirëve. Me një fjalë, në fazën më të vështirë.

- E keni theksuar më herët se pjesë e bordit, madje kryetare e jurisë do të jetë aktorja legjendare angleze, fituese e çmimit “Oskar” dhe e shumë çmimeve prestigjioze, Vanesa Redgrave. Si po funskionon bashkëpunimi me të dy muaj para festivalit?

- Zonja Vanesa Redgrave është kryetare nderi e bordit të festivalit “Prifilmfest”. Vetë fakti që ajo ka pranuar të jetë pjesë e festivalit, tregon vullnetin e saj të mirë si dhe dashurinë që ka ndaj komunitetit artistik kosovar dhe Kosovës në përgjithësi. Pak kohë më parë ajo përjetoi një tragjedi familjare: vdekjen e vajzës së saj Natasha Riçardson, ngjarje kjo që na tronditi edhe ne. Shpresoj që edhe përkundër kësaj fatkeqësie ajo do të mund të vijë gjatë kohës së festivalit, ashtu siç ka premtuar.

- Si është pritur ideja nga komuniteti artistik, konkretisht nga kolegët tuaj të arteve skenike?

- Iniciativa për festival edhe ka rrjedhur nga komuniteti. Është pritur shumë mirë dhe jam i befasuar për të mirë për fjalët e mbështetjes, ofrimin për ndihmë nga komuniteti dhe dua t’i falënderoj publikisht. Mendoj se të gjithë kemi të njëjtin interes, që përmes festivalit të ecim përpara dhe ndihmojmë vetveten. Kur them vetveten, mendoj në industrinë filmike kosovare.

- Në sajtin zyrtar thuhet se “është blerë domeni” www.prifilmfest.org për webfaqen e festivalit. Prej kujt dhe a mund ta deshifroni për opinion ç’do të thotë kjo?

- Informata për domenin ishte vetëm sa për të dëshmuar kohën e fillimit të organizimit të festivalit, asgjë më shumë. Deshëm që në një mënyrë të dëshmojmë se jemi duke punuar gati 2 vjet në këtë ide, në mënyrë që edicionin e parë ta kemi sa më të mirë.

- Aspiratat kanë tingëlluar mbresëlënëse, madje mjaft ambicioze. Opinioni publik gjegjësisht dashamirët e evenimenteve të tilla a guxojnë të shpresojnë se më në fund edhe ne do të kemi një festival filmi, ku filmbërësit, të them figurativisht, do të shtyhen me bërryla për t’u bërë pjesë e festivalit?

- Si në çdo fushë tjetër, mendoj se duhet të ketë një dozë ambicieje, energji kjo që të jep shtytje përpara. Por në anën tjetër, nuk duhet të kemi iluzione dhe duhet të jemi realist. Çdo ndërmarrje e ka rritjen e vet të natyrshme dhe i duhet kohë. Planet tona janë që në edicionin e katërt të jemi në nivel, që të mund krahasohemi me ndonjë festival tjetër të mirë.

- A guxojmë të shpresojmë për një krahasim ekuivalent me ndonjërin nga festivalet e vendeve të rajonit, konkretisht të themi me festivalin e mirënjohur të Sarajevës?

- Festivali i filmit në Sarajevë është shumë i mirë dhe ka arritur të bëhet një model për rajonin. Natyrisht, për të mbërritur aty i është dashur nja 14 vjet. Ne e kemi vizituar festivalin dhe kemi kontakte edhe me njerëzit e atij festivali. Krahasimet me atë apo tjetrin festival mund të bëhen pas disa vjetësh, kur “Prifilmfest” të marr formën e vet të dëshiruar.

- Institucionet a janë të vetëdijshme për rëndësinë e një festivali të përmasave të tilla?

- Shpresoj se po. Rëndësia dhe vlerësimi i tij do të bëhen pas festivalit, kur shpresoj se të gjithë do ta përjetojnë dhe do ta shohim atë si diçka që promovon qytetin, shtetin tonë të ri dhe kulturën tonë. Në të njëjtën kohë duke u dhënë mundësi kineastëve dhe publikut tonë të jetë në rrjedha me filmin dhe në kontakt me industrinë filmike botërore.

- A do të ketë filma premierë?

- Jemi duke punuar shumë në atë aspekt, por do të jetë shumë vështirë. Jemi në edicionin e parë dhe tendenca e kineastëve është që filmat e tyre t’i japin premierë nëpër festivalet më të mëdha botërore. Ne jemi në pozitë më të vështirë lidhur me premierat e mundshme, por jemi duke punuar që të kemi së paku një premierë.

- A mendoni se Republika e Kosovës është e gatshme të përballojë një festival si “Prifilmfest” dhe si jeni aktualisht me “premtime”, mendoj në kalkulime matematike me shifra (mjete)?

- E thashë edhe më parë se jemi në fazën e grumbullimit të fondeve. Siç mund të paramendoni, është proces i vështirë, sidomos me faktin se gjendemi në vitin e krizës globale. Premtime kemi shumë, të shohim sa do të realizohen.

- Në kohën kur ballafaqohemi me probleme të theksuara me prodhim vetjak të filmit, a mund të thuhet se është një kontradiktë mes dëshirës madhe për një festival prestigjioz dhe mundësive të vogla për të prodhuar një film tonin?

- Festivalet dhe prodhimi i filmit nuk janë në kontradiktë me njëri-tjetrin. Përkundrazi, janë komplementarë dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin. Shembulli më i mirë është festivali i Sarajevës, i cili besoj i ndihmoi shumë kineastët boshnjakë dhe industrinë e tyre filmike. Rezultati dihet: në dhjetë vjetët e fundit përveç çmimeve tjera ata kanë fituar edhe një “Oskar” dhe një “Ari të artë” (në Berlin).

- Jam kurioz të di si e sheh drejtori artistik i “Prifilmfestit” ambientin në kryeqytet në vigjilje, gjatë dhe pas festivalit, por nga perspektiva e sotme, domethënë dy muaj para festivalit dhe ku do të shfaqen filmat?

- Ëndërroj ta shoh Prishtinën gjatë festivalit si një qendër e kulturës. E stolisur në frymë të filmit dhe në atmosferë festive. Jam i bindur se shpirti i ri i Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi do ta zbukurojë e gjallërojë atmosferën e festivalit. Fundja, festivali bëhet për njerëzit tanë, që do ta madhështojnë atë.

Intervistoi: Xhemail Veseli

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›