E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: PS dhe PD kanë një vit që bashkëqeverisin

>Nënkryetari i LSI akuzon qeverinë se po grabit qytetarët me faturat afrofe
Në konferencën e tij për shtyp deputeti dhe Nënkryetari i LSI, Dritan Prifti ka komentuar deklaratën e fundit të  deputetit të  PS, Ben Blushi, në një emision televiziv, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit mes PD dhe PS pas zgjedhjeve. Prifti tha se "unë personalisht nuk kam pasur ndonjë dyshim që Partia Socialiste nuk është më përfaqësuese e socialistëve". Duke komentuar situatën e socialistëve dhe deklaratat tyre  rreth qëndrimit politik postzgjedhor Prifti ka thënë se  "unë për vete nuk kam pasur ndonjëherë dyshim për këtë gjë, sepse Partia Socialiste ka të paktën një vit që bashkëqeveris me Berishën". "Në të gjitha nivelet ka një bashkëqeverisje, prandaj Shqipëria është zhytur thellë e më thellë në problemet që ka dhe në varfërinë që ka sot",-tha ai.  Më pas, Prifti vijoi se ata kanë bërë Kushtetutën bashkë, kanë bërë ligjin për prokurorinë bashkë, kanë goditur gjykatat bashkë. "Teatrin që ata luajnë para shqiptarëve se gjoja nuk janë në bashkëqeverisje, edhe teatrin që ndodhi me bashkinë e Tiranës, me refuzimin e buxhetit, asnjë shqiptar nuk duhet ta besojë". "Ata do të bashkohen tani dhe do ta votojnë përsëri buxhetin, por ata dëshirojnë të gënjejnë, sidomos Partia Socialiste, sa më shumë socialistë dhe sa më shumë të majtë, se janë në opozitë me Berishën",- u shpreh ai.Prifti tha se "Blushi dje kishte guximin dhe tha ne do ta bëjmë qeverinë me Berishën. "Mesazhi im për shqiptarët e sidomos për socialistët është, braktiseni Partinë Socialiste, braktisni të djathtët që drejtojnë atë forcë politike dhe në zgjedhjet e ardhshme ne si shqiptarë ta nxjerrim edhe PS, edhe PD, të dyja së bashku me pak se 51 për qind, që të mos i japim atyre mundësinë të vazhdojnë abuzimin, vjedhjen dhe goditjen e shqiptarëve, siç janë duke bërë sot në bashkëqeverisje",- bëri thirrje Prifti.
Gjatë deklaratës së tij për shtyp Nënkryetari i LSI, Dritan Prifti ka reaguar dje problemet shqetësuese të qytetarëve rreth  vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për të vazhduar aplikimin e faturimit afrofe për konsumatorët e energjisë elektrike edhe për një vit më shumë.  Ai u shpreh se "ne kërkojmë menjëherë pezullimin e këtij lloj faturimi dhe kthimin e faturimit normal për të gjithë konsumatorët"."Thirrja që ne bëjmë është të ndalohet urgjentisht faturimi afrofe sot",- u shpreh Prifti. Ai vijoi se "menjëherë të merren masa që të mos ketë më faturim afrofe, sepse edhe arsyeja që jepet, që rreth 80 mijë konsumatorë, nuk kanë akoma matëse, nuk qëndron. Nuk ka më konsumatorë pa matësa në Shqipëri". "Janë vetëm ata që kanë lidhur energjinë në dy tre muajt e fundit, pra janë vetëm ata që kanë lidhje të reja, që smund të kenë marrë akoma matësa". "Janë blerë mbi 600 mijë matësa vetëm në tre-katër vitet e fundit në KESH. Kështu i bie që, të gjithë konsumatorët shqiptarë të ishin paisur me matëse gjatë gjithë katyre viteteve",-tha deputeti Prifti gjatë deklaratës. Sipas tij,qeveria Berisha në programin e saj ka pasur heqjen e faturimit afrofe brenda 6-mujorit të parë të qeverisjes. "Jemi tani në 6- mujorin e fundit të qeverisjes Berisha dhe fatura afrofe vazhdon akoma të jetë një penalizim, të jetë një goditje, për buxhetet e familjeve të varfëra shqiptare",- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›