Prishtina zyrtare vlerëson procesin
02/07/2009 Prishtina zyrtare shprehu vlerësimet e saj për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Tri ditë pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve lidershipi kosovar ka vlerësuar me nota pozitive zhvillimin e procesit zgjedhor në vendin tonë. I sapokthyer nga Nju-Jorku, presidenti Sejdiu ka deklaruar se ky proces ka treguar konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. “Bej një vlerësim shumë pozitiv të procesit, që ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Është diçka e mirë, që del nga demokracia e konsoliduar në Shqipëri vitet e fundit dhe është detyrë e Komisionit Qendror Zgjedhor të japë rezultatet”, - është shprehur Sejdiu lidhur me këtë çështje. Ndërkohë të njëjtin vlerësim ka dhënë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. “Zgjedhjet kanë qenë me standarde perëndimore. Mbi çdo ideologji është Shqipëria”, - vlerësoi Thaçi. Për fat të keq, një vlerësim të tillë nuk e dha e majta shqiptare, më konkretisht partia kryesore e këtij kampi, ajo Socialiste. Madje, gjatë këtyre ditëve përfaqësuesit e selisë rozë gjithnjë e më shumë i mëshojnë pretendimit se standardet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën e 28 qershorit po zbehen çdo ditë e më shumë. Kjo duke iu referuar procesit të numërimit të votave, ku vihen re mjaft parregullsi e që dy kampet respektive akuzojnë njëri-tjetrin si bllokues të këtij procesi.