E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i tre vëllezërve i shpëton burgimit të përjetshëm

Gjykata e Korçës ka vendosur të pranojë kërkesën për gjykim të shkuartuar nga avokati i Besim Karajt

KORÇË - Vetëm 25 vjet burg është masa e dënimit që mund të marrë nga gjykata vrasësi i tre vëllezërve Mulliri.


Njeriut që shkaktoi tragjedinë për familjen në Vidohovë i është pranuar kërkesa për gjykimin e shkuartuar, çka përjashton automatikisht dënimin me burgim të përjetshëm, e sipas kodit penal, dënimi maksimal që merr është 25 vjet burg. Gjyqi për Besim Karajn u zhvillua paraditen e djeshme në Gjykatën e Korçës.


Pas protestave të familjarëve dhe tensionit të krijuar afro 10 ditë më parë, trupi gjykues nën drejtimin e Gjergji Koços ka vendosur që këtë herë seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura. Familjarët e tre vëllezërve Mulliri nuk janë lejuar t'i afrohen sallës së gjyqit, ashtu sikundër dhe gazetarët, ndërkohë që autori Besim Karaj ka dalë para togave të zeza.


Procesi


Mësohet se Karaj ka rrëfyer krimin me gjakftohtësi duke e pranuar atë, ndërsa nga ana tjetër trupi gjykues ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës Gjergji Gjoka për gjykimin e shkurtuar. Kjo kërkesë është bërë e ditur nga seanca e kaluar, ndërkohë që prokurori i çështjes Edmond Shytko ka qenë dakord me këtë kërkesë të të pandehurit.


Pas tërheqjes, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurit, duke u shprehur se shkak për këtë vendim ishte rregullsia e akteve, por dhe pranimi i krimit nga ana e autorit, si dhe pendimi për veprën e kryer. Gjykimi i shkurtuar nënkupton vijimin e procesit gjyqësor me provat e paraqitura tashmë nga prokuroria, ndërkohë që një process i tillë përjashton mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm të autorit.


Tashmë Besim Karaj i akuzuar për vrasjen e tre vëllëzerve Mulliri në fshatin Vidohovë në muajin janar të këtij viti, do të shkojë drejt një dënimi me 25 vjet burg. Duke iu referuar të njëjtave burime të gazetës mësohet gjithashtu se Karaj ka ruajtur qetësinë, ashtu sikurse ka bërë dhe në seancën e kaluar ku u vu nën presionin e familjarëve të viktimave që i kishte shkaktuar ai vetë.


I veshur me antiplumb dhe i shoqëruar me forca të shumta policie 41-vjeçari për të cilin nuk interesohet asnjë i afërm, ka treguar se si ka kryer krimin që shokoi fshatin e vogël kufitar në rrethin e Devollit.


Vendimi


Seanca e radhës e cila do të zhvillohet pas një jave do të shkojë drejt dhënies së vendimit, por do të jetë organi i akuzës që do të dalë me konkluzionet e tij për një nga çështje që ka krijuar ndjeshmëri të lartë.


Besim Karaj vrau me armë zjarri tre vëllezërit Mulliri, pasi bashkëshortja e tij kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me një nga vëllezërit e kësaj familjeje. I armatosur ai ka dalë në qendër të fshatit tek një lokal në pronësi të viktimave dhe ka qëlluar ndaj tyre. Dy nga vëllezërit vdiqën në vend, ndërsa i treti ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë dy ditë më pas për shkak të plumbave të marrë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›