Pro traditës së unitetit
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie të koalicionit të gjerë.
Pa dashur të flasë për politikë, pas akademisë për presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, Thaçi tha se politika shqiptare unitetin e ka pasur edhe traditë dhe duhet të kultivohet.
“Kjo traditë e bashkimit do të vazhdojë edhe në kuptimin shtetëror, edhe politik, edhe kombëtar, edhe demokratik dhe më vjen mirë që ky është mesazhi më i mirë që duhet dërguar shteti i Kosovës gjithë miqve ndërkombëtarë, por edhe politika kosovare gjithë qytetarëve të vendit”, tha ai.
Thaçi theksoi se do të vazhdojë të luajë rolin e tij që i takon, duke kujtuar se ai është lideri më i besuari dhe i votuari. “Do të vazhdoj të luaj rolin që më takon si lideri më i besuar dhe i votuar për unifikimin e gjithë spektrit politik kosovar dhe qytetarëve”, tha Thaçi.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka ritheksuar qëndrimin kundërshtues të tij për koalicion me PDK’në. Ai ka deklaruar të premten se qëndrimi i Lidhjes Demokratike mbetet i pandryshueshëm.
“Ai është qëndrim i yni. Asnjë ndryshim nuk ka, do të thotë me këtë qëndrim ne mbesim, por mbesim po ashtu që të ndërtojmë një demokraci të mirëfilltë në Kosovë”, është shprehur Mustafa.