E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i Thacit zhvillim ekonomik dhe mireqeverisje

Qeveria e Kosovës ka aprovuar planin reformues dhe zhvillimor për Kosovën evropiane gjatë katër viteve të ardhshme. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ky plan do të përqendrohet kryesisht në zhvillimin e sektorit privat.

“Qeveria  e Kosovës zotohet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe zgjidhjen e sektorit të energjetikës dhe atë të minierave, rivitalizimin e bujqësisë, kalimin apo transformimin nga ekonomia jo formale në atë formale si dhe qëndrueshmëria makrofiskale”- tha Thaçi.

Kreu i Qeevrisë së Kosovës tha se hartimi i prioriteteve nuk ka qenë aspak i lehtë, por ky plan ka përfshirë çështjet më të rëndësishme që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Hartimi i prioriteteve të zhvillimit ekonomik të Kosovës paraqet një ndër punët më të vështira. Në këtë dokument janë identifikuar prioritetet strategjike dhe politikat e nevojshme për t’u zbatuar nga qeveria e Kosovës, për t’u përkrahur nga aktorët e tjerë me qëllim të arritjen e një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës”- tha Thaçi.

Plani reformator dhe zhvillimor për Kosovën evropiane është i bazuar në katër shtylla që përfshin zhvillim ekonomik, qeverisje të mirë, zhvillim të kapitalit njerëzor dhe mirëqenia sociale. Plani reformator i qeverisë së Kosovës synon rritje ekonomike vjetore nga 7 deri në 8 për qind dhe uljen e papunësisë nga 8 deri në 10 për qind.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›