E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti, si do të ndryshojë qendra e Elbasanit

09/09/2009  Starton rikonstruksioni i bulevardit “Qemal Stafa”. Ja risitë dhe kthimi në identitet i shëtitores

ELBASAN- Pas disa muajsh procedurash tenderimi dhe anulimesh më në fund do të startojë punimet pjesa e dytë e bulevardit “Qemal Stafa”. Investimi i shumëpritur që do të vazhdojë ndryshimet e regjistruar në qendrën e qytetit do të kthejë traditën, por edhe risitë duke i dhënë një tjetër pamje kësaj pjese. Me një fond prej 50 milionë lekësh këtë fillim muaj firma fituese e tenderit po bëhet gati për startin e fazës së parë që do të bëjë gërryerjen e asfaltit dhe lulishteve gjysmë të shkatërruara.

Ndërhyrja

Segmenti që do të rikonstruktohet është ai nga teatri “Skampa” deri në lulishten “Kozma Naska” dhe punimet do të zgjasin 3 muaj. Gjatësia e këtij segmenti që do të rikonstruktohet është 500 metra bashkë me ndriçimin, gjelbërimin dhe katër shatërvanë të vegjël përgjatë pjesës së gjelbër. Po kështu bashkia ka propozuar dhe miratuar ndërtimin e një çezmeje karakteristike tek rrapi i Vojvodës, simbol i Elbasanit, e shkatërruar në kohën e diktaturës. Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, tha se ky investim vazhdon projektet për një qendër modern, por njëkohësisht në shërbim të identitetit të qytetit. “Me përfundimin edhe të fazës së dytë të punimeve në të gjithë bulevardin kryesor, mund të themi se qyteti i Elbasanit do të kthehet në një vend me shumë interes për t’u parë dhe për të qëndruar”, deklaron Qazim Sejdini që ka mbështetur fuqishëm ndryshimin e qendrës së qytetit. Ai ka premtuar se brenda mandatit të tij si kryetar i bashkisë do të përfundojë bulevardin duke i dhënë qytetit të Elbasanit pamjen që meriton. Kryebashkiaku Sejdini ka qenë iniciatori për ndryshimin e pamjes së qendrës përpara kalasë. Zbulimi i mureve të kalasë dhe rikonstruksioni i bulevardit i kanë dhënë qytetit të Elbasanit një ndryshim thelbësor. Pikërisht në rrapin e Bezistanit, pritet të rifillojnë punimet për nxjerrjen e plotë në pah të mozaikut. Të gjitha këto elementë dhe përfundimi i shatërvanit më të madh i quajtur “Tri Urat” janë investime që do të ndikojnë për të tërhequr sa më shumë turistë, por edhe për komoditetin dhe kënaqësinë e vetë qytetarëve elbasanas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›