E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria Ne Peqin nuk u qellua me pistolete

Prokuroria e rrethit të Elbasanit ka hedhur poshtë spekulimet se të shtunën e kaluar, në ndeshjen e luajtur në Peqin ndërmjet Shkumbinit dhe Flamurtarit është qëlluar me pistoletë në ambientet e brendshme të stadiumit.

Pas deklarimeve të prokurorisë, bien poshtë si të pabazuara dhe të pavërteta të gjitha akuzat ndaj deputetit Dashnor Sula për përdorim të armës së zjarrit. Verifikimet e para kanë nisur nga policia e Peqinit, e cila evidentoi se nuk ka pasur dëmtime me armë zjarri në banjën e dhomës së gjyqtarëve, në njerëz apo në objekte.

Kjo konfirmohet nga shkresa me numër protokolli 4105, ku theksohej edhe se sendi i cilësuar si pistoletë stimuluese zhurme është dërguar për ekspertizën teknike.

Fakti që në stadiumin e Peqinit nuk është përdorur pistoletë u konfirmua edhe nga eksperimenti tekniko-balistik me numër 4260 të datës 8 maj, ku rezultonte se e dyshuara si armë, ishte në realitet thjesht një simulues zhurme e dyshuar si lodër, e cila nuk klasifikohet si armë zjarri luftarake.

Të dy vërtetimet janë lëshuar me kërkesën e klubit të Shkumbinit, nga drejtuesi i Prokurorisë së rrethit gjyqësor, Elbasan, Elvin Gokaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›