E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pullat e reja fiskale, në kurriz të biznesit

01/03/2011  Komisioni i Ekonomisë kalon ndryshimet në ligj vetëm me votat e mazhorancës

Pullat e reja fiskale për prodhuesit e birrës, të pijeve alkoolike, apo duhanit janë barrë e rëndë për biznesin. Kjo pasi vlera e një pulle fiskale do të jetë rreth 6 herë më e lartë se vetë etiketa e një produkti, siç mund të jetë birra, apo një pije alkoolike. Ankesat e veta biznesi i ka përcjellë mes shoqatave përfaqësuese në tryezën e ministrit të Financave edhe me anën e Këshillit Konsultativ të Biznesit. Por ato nuk janë marrë në konsideratë. Kjo ndodhi edhe dje në Komisionin e Ekonomisë ku mazhoranca kaloi vetëm me votat e saj detajet teknike për pullat fiskale.

Pullat e falimentit

Kundërshtitë dhe vërejtjet janë bërë prezente kohë më parë nëpërmjet Dhomës Amerikane të Tregtisë, Shoqatës së Prodhimit të Pijeve dhe Ushqimeve pranë Komunitetit Konsultativ të Biznesit. Madje i janë dërguar edhe ministrit të Financave me anën e një letre. Konkretisht, vendosja e çmimeve të pullave të akcizës apo kodit të sigurisë për duhanin, pijet alkoolike dhe birrën, përkatësisht 20 euro, 32 euro, dhe 22 euro për 1000 euro copë pulla, pa përfshirë këtu vlerë e TVSH dhe taksave të tjera, të cilat do të paguhen nga kompanitë tatimpaguese do të thotë se vlera e akcizës do të rritet 10 për qind. Vlera e pullave të akcizës apo të kodit të sigurisë është tepër e lartë nëse do ta krahasojmë me çmimin e një etikete që nga kompanitë prodhuese blihet me 3 euro/1000 copë. Në ndryshim nga ligji ekzistues për kompanitë e birrës vlera e akcizës do të paguhet paradhënie me blerjen e pullave ose vendosjen e kodit të sigurisë dhe jo në muajin në vijim pas shitjes së produkteve siç është aktualisht. Kjo do të thotë që kompanitë do të kenë më shumë nevojë për likuiditete paradhënie dhe në këtë mënyrë do tu rritet kostoja e prodhimit. Vendosja e pullave apo kodit të sigurisë për birrat do të jetë pengesë edhe për eksportet e kompanive, pasi edhe për produktin që do të eksportohet duhet të paguhet akciza paradhënie dhe pastaj kompania duhet të fillojë aplikimin e rimbursimin e vlerës së akcizës së paguar. Dhe dihet tashmë se sa kohë kërkohet që të bëhen rimbursimet nga organet tatimore. Kjo do të thotë rritje e kostos së produkteve. Do të rriten vështirësitë edhe për produktet e skaduara për të cilat është paguar akciza dhe do të kërkohen procedura shtesë për evidentimin e tyre dhe aplikimin për rimbursimin e akcizës së paguar. Edhe kjo çon në rritje të kostos së produkteve. Megjithëse nuk ka dalë akoma udhëzimi i ministrit të Financave që shoqëron ndryshimet e ligjit, ende nuk sqarohet se kush do të paguajë defektet dhe mirëmbajtjen e pajisjeve që do të vendosen nëpër linjat e prodhimit të birrës. Nëse do të paguhen nga kompanitë prodhuese edhe kjo do të çojë në rritjen e kostove të produkteve.

Ndryshimet në ligj

Qeveria miratoi ndryshimet në ligjin për akcizën, i cili kaloi në Kuvend të enjten e kaluar. Ndërsa dje në Komisionin e Ekonomisë para deputetëve mbërriti projektligji me elementët teknikë plotësues për ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar. Deputetët e PS-së braktisën sallën pas debateve në lidhje me çështjen. Opozita kërkoi që miratimi i ndryshimeve të bëhet më vonë në kohë, pasi ligji i miratuar nga Kuvendi nuk është dekretuar ende nga Presidenti që do të thotë se këto ndryshime janë një paragjykim për punën e kreut të shtetit. “Ndryshimet janë kërkuar që më 9 shkurt 2011. Ato vijnë në funksion të një ligji të sapomiratuar në seancën e fundit plenare për pullat fiskale, ku monopoli i tyre kaloi nga shteti në një firmë koncensionare. Ky ligj nuk ka hyrë ende në fuqi, sepse duhen dy javë nga publikimi në Fletoren Zyrtare. Ky projektligj është ndërmarrë pa u ditur nëse ligji do të miratohej në Parlament”,- tha nënkryetarja Mimi Kodheli. Sipas socialistëve, ndryshimet duhet të kishin ardhur së bashku. Deputeti Erion Braçe tha se projektligji ka gabime në kohë dhe në tekst. “Ne kërkojmë që përderisa ky ligj reflekton ndryshimet e çmimeve të pullave fiskale të parashikuara nga një ligj tjetër që nuk ka hyrë në fuqi ende, të presim për ta shqyrtuar”,- tha Braçe. Sipas deputetëve të PD-së, hyrja në fuqi e ligjit bazë ka të bëjë me shtrirjen e efekteve. “Ne po ndërrojmë sistemin, nga i centralizuar në duart e shtetit në një koncensionar dhe kjo do kohë e mund, prandaj kërkojmë miratimin e këtij projektligji. Ligjet janë komplementarë me njëri-tjetrin”,- tha deputeti Florion Mima.

Ligji

Ministria e Financave është shprehur se me këtë sistem për pullat fiskale sigurohen elementë të rinj për kodin e sigurisë, të cilët do të realizohen nga një shoqëri private. Projektligji ka si qëllim të luftojë evazionin fiskal, kontrabandën dhe rritjen e të ardhurave në buxhet.

Kontrata

Sipas kontratës, të miratuar nga qeveria pak kohë më parë, shoqëria zvicerane SICPA autorizohet që për një periudhë 10-vjeçare do të prodhojë, do të shpërndajë dhe do të menaxhojë të gjithë sistemin e pullave fiskale duke zëvendësuar prodhimin e tyre nga kompania shtetërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›