E Diel, 1 Nëntor 2026

Puna sezonale në Itali, nis zyrtarisht dërgimi i kërkesave

23/03/2011  Kontratat e përkohshme të punës, aplikimet on-line në adresën www.interno.it

Çelet zyrtarisht faza e nisjes së kërkesave për shqiptarët që duan të përfitojnë një kontratë të përkohshme pune në shtetin italian. Duke filluar nga mëngjesi i ditës së djeshme ka nisur gara për punësimin e 60 mijë punonjësve sezonalë të domosdoshëm kryesisht në sektorët e turizmit dhe bujqësisë për periudha të caktuara. Dekreti që autorizon ardhjet e tyre është shpallur tashmë dhe përcakton se këtë vit punonjësit sezonalë mund të vijnë nga këto vende: Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Indi, Pakistan, Bangladesh, Sri-Lankë, Ukrainë, Tunizi, Marok, Moldavi, Egjipt, Nigeri, Niger, Gambia, Gana, Filipine. Kërkesat paraqiten on-line përmes faqeve internet të ministrisë së Brendshme ëëë.interno.it, ku dhe mund të përpilohen e salvohen formularët. Për nisjen e kërkesave punëdhënësit mund të kërkojnë ndihmën e shoqatave të kategorisë apo të konsulentëve të punës. Por mund të bëjnë gjithçka edhe vetë. Procedura përcakton se mjafton të lidheni në adresën internet nullaostalavoro.interno.it. Kush është i regjistruar më parë të kalojë direkt e në pikën 4, përndryshe të shtypë butonin “Effettua registrazione” lart në të majtë. Futni të dhënat personale që kërkohen dhe shtypni “Invia”. Pas mesazhit të konfirmimit do të merret një imeil me udhëzimet për përfundimin e regjistrimit si dhe vijimin e procedurës, e cila përfundon me dhënien e konfirmimit se kërkesa është regjistruar. Një risi e rëndësishme i dallon këto flukse nga të mëparshmit. Për punonjësit sezonalë nga këto vende që kanë qenë për të paktën dy vjet rresht në Itali, punëdhënësit mund të kërkojnë një autorizim shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm këta punonjës sezonalë do të mund të vijnë në Itali duke mos kaluar më mes flukseve. Sipas ekspertëve italianë, për flukset e sezonalëve nuk ka qenë asnjëherë e nevojshme të nxitohesh, hyrjet e autorizuara nga qeveria janë zakonisht të mjaftueshme për të kënaqur të gjitha kërkesat e paraqitura. Por gjithsesi ndërmarrjet bujqësore, hotelet dhe restorantet duhet të mbajnë mirë parasysh se edhe në rastin më të mirë do të kalojë të paktën një muaj nga paraqitja e kërkesës deri në çastin kur punonjësi do të vijë në Itali. Ndaj për të mirën e punës së tyre u leverdis të nxitojnë.

Vlefshmëria e kontratave

Sipas përcaktimeve të bëra puna stinore klasifikohet si puna që kryhet për një periudhë të caktuar vjetore, veçanërisht në sektorët e bujqësisë, hoteleve dhe restoranteve gjatë sezonit turistik. “Nulla-osta” për punë stinore është e vlefshme për minimumi 20 ditë dhe maksimumi 9 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës dhe lëshohet nga Sporteli Unik për kohëzgjatje të barabartë me atë të punës stinore për të cilën kërkohet. Në këtë hark kohor është e mundur të ndërrohet punëdhënës, mjaft që puna të mbetet stinore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›