E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e KPTHN heqin shiritat e tatimorëve

27/10/2009  Hidhen në protesta rreth 1 mijë punonjës: Shteti të mendojë për familjet tona

BALLSH- Rreth 1000 punonjës të kompanisë ARMO kanë protestuar ditën e djeshme para sheshit të KPTHN Ballsh. Shkak për këtë protestë ka qenë bllokimi i aktivitetit të ARMO-s një ditë më parë nga Policia Tatimore.

Protesta

Protesta e punëtorëve të KPTHN-së Ballsh, të cilët kishin ndërprerë punën në të gjithë sektorët përgjatë 2 orëve. Punëtorët kanë kërkuar tërheqjen e urdhrit të Policisë Tatimore dhe rikthimin në punë sepse kjo dëmton ekonominë e tyre. Problemet mes kompanisë dhe shtetit sipas punëtorëve duhet të zgjidhen mes tyre dhe gjithë punonjësit kërkojnë të vazhdojnë punën. “Ne kërkojmë që të vazhdojë punën normalisht si kombinat, ka thënë një punëtor, sepse ndërprerja e saj do të thotë ndërprerja e të ardhurave të familjeve tona dhe ne marrim fund si familje. Sot ne jemi mbledhur të mbështesim kompaninë që ajo të vazhdojë punën. Janë 6000 punëtorë të “TACI OIL”. Ne i kërkojmë qeverisë të vazhdojmë punën se kemi qenë ne punëtorët që kur kërciste plumbi në ‘97 që kemi ardhur në punë dhe e kemi mbajtur uzinën”. Ndërprerja prej 2 orësh e KPTHN Ballsh sipas drejtorit Bledar Myftari ka një kosto prej 30 milionë lekësh të reja për kompaninë. Ky dëm do të vijë në rritje në rast se Kombinati do të qëndrojë i bllokuar. “Normalisht që të ndali kombinati ka një procedurë, thotë Myftari, minimalja fillon në 48 orë më parë. Para kësaj kohe çdo ndalim do të thotë një kosto kuptohet për një kombinat të amortizuar që po përpiqemi ta rivëmë në punë, do të thotë një kosto e madhe, do të thotë që të mos furnizojmë tregun, do të thotë që edhe punëtorët të pësojnë një dëm të madh ekonomik për familjet e tyre. Dëmi është katastrofik, përllogaritjet e dëmeve janë të mëdha”.

Hiqen shiritat e tatimorëve

Në përfundim të protestës punëtorët kanë hequr shiritat dhe të gjithë instrumentet bllokues të vendosur nga tatimorë për të vazhduar normalisht punën. Ndërsa në rafinerinë e Fierit, punëtorët kanë shpërthyer portën e bllokuar nga tatimorët. Ata shprehen se nuk mund të lejojnë ndaljen e rafinerisë, ndërkohë që kanë pohuar se problemet mes kompanisë dhe shtetit duhet të zgjidhen mes tyre. Situata e ditës së hënë ka qenë e rëndë për ta. Mjetet që transportojnë naftë ishin larguar pa mbaruar punë, ndërsa tatimorët kanë qëndruar në pritje të vazhdimit të procedurave. Në mesditë ka rënë edhe një zjarr në repartet e Uzinës, por është fikur nga vet punëtorët. Këtë gjë e pohon edhe drejtori i Rafinerisë së Fierit dhe Ballshit. “Rafineria e naftës në Fier aktualisht është e bllokuar”,-ka thënë Myftari. Çka do të thotë që rafineria është jashtë pune dhe zotërinjtë që kanë ndërmarrë një hap të tillë do të ndeshen në procedime penale, pa llogaritur që aktualisht siç njoftohet, ka rënë edhe zjarr dhe makinat zjarrfikëse janë ndaluar të futen brenda rafinerisë.

Në mbështetje të punëtorëve të KPTHN Ballsh, punëtorët e Rafinerisë në Fier, kanë shpërthyer portën kryesore, duke bërë të mundur lëvizjen e mjeteve që furnizohen me lëndë djegëse.

“Kërkesat e herë pas hershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej dhjetorit 2008”, deklarohet borxhi i ARMO-s ndaj shtetit. Pas bllokimit të depove të nënprodukteve shoqërisë ARMO janë lëshuar akuza se shteti i shkaktoi kompanisë rreth 5 milionë euro dëm. Tatimpaguesi ARMO sh.a nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues akcize si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ky ligj.” Sipas njoftimit zyrtar, ARMO sh.a gjithashtu nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm. Kërkesat e herë pas hershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej dhjetorit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›