E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, merr fund mundimi për transportin e pacientëve

Prej kohësh, transportimi i të sëmurëve bëhej me vështirësi nga një kat në katin tjetër, por tashmë duket se situata mori zgjidhje. Këtë vit, për herë të parë janë instaluar ashensorë në disa shërbime, që nuk kanë pasur ose që kanë munguar prej vitesh.

Kjo ka bërë që mos jenë më familjarët apo punonjësit e spitalit të cilët të transportojnë me barela pacientët por ata të qarkullojnë në pavijone për të kryer ekzaminimet e duhura nëpërmjet këtyre ashensorëve.

Gjatë inaugurimit të këtyre ashensorëve, Ministri i Shëndetësisë ka theksuar se ky është një investim shumë i rëndësishëm pasi ka të bëjë me një mbarëvajtje të mirë të punës. “Jo në pak raste ne kemi pasur vështirësi edhe në dhënien e shërbimit për pacientët. Ky investim do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimit në spital brenda standardeve në të gjitha pavijonet. Një pjesë e këtyre investimeve rikthehen pas një periudhe shumë të gjatë, dhe doja të përmendja pediatrinë ku jemi aktualisht pasi nga ndërtimi i kësaj godine 40 vjet më parë, sot ky shërbim është bërë me ashensor”, tha Vasili.

Sipas tij, të gjitha sistemet e ashensorëve janë modernë edhe me të gjitha sipërfaqet dhe volumet e duhura për të kryer një transport bashkëkohor për  pacientët, personelin por edhe familjarët. “Vendosja e 6 ashensorëve të rinj, plotëson në mënyrë totale të tërë sistemin e domosdoshëm të komunikimit në këtë qendër spitalore” ka nënvizuar kreu i shëndetësisë. Investimi total për vendosjen e këtyre 6 ashensorëve në shërbime kap një vlerë prej 25.646.505 lekë.

 Ky investim është fokusuar në spitalin e Pediatrisë (2 ashensorë), Spitali i sëmundjeve të Brendshme (2 ashensorë), Neurologjia dhe Kirurgjia e Përgjithshme. Sipas përllogaritjeve të bëra rezulton se këta ashensorë përballojnë mesatarisht një fluks prej 300 personash ne ore për ashensor ne një periudhe pune intensive prej 18 orësh. Dy ashensorët e instaluar tek Spitali i Pediatrisë vendosen për here të parë që nga dita e ndërtimit të tij (1970). /Start/

                                                                                             2012-03-06 14:12
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›