Shoferi i ushtrisë vjedh 11 arka me fishekë
Punonjësi i një reparti ushtarak në Berat është arrestuar nga policia, pasi u ndalua teksa transportonte me makinën e tij një sasi të madhe municionesh. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat bëjnë me dije se rreth orës 08.00 të mëngjesit të djeshëm është bërë arrestimi i shtetasit Kodhel Kosova, 42 vjeç, i cili punon si shofer i repartit ushtarak të Vërtopit, në sektorin e mbrojtjes nga zjarri. 42-vjeçari u ndalua në afërsi të Urës Vajgurore, duke udhëtuar me mjetin e tij personal, një veturë tip “Mercedes Benz” me targa SK1946A, duke transportuar 11 arka me municione luftarake. Sasia e municioneve, fishekë model 56 kallashnikov, mësohet se ishin siguruar më parë nga reparti ushtarak ku punonte Kosova dhe do të tregtoheshin. Por, një informacion i marrë në rrugë operative ka penguar 42-vjeçarin të finalizojë “pazarin”. Mësohet se bashkë me të udhëtonte edhe Aziz Dyrmishi, i cili arriti t’u largohej uniformave blu dhe tashmë është shpallur në kërkim. Menjëherë pas bllokimit të sasisë së municioneve, ekspertët e policisë nisën hetimet për të mësuar se si kanë arritur të dalin nga reparti sasia e fishekëve dhe se ku do të tregtoheshin ato më pas. Ndërsa gjatë një kontrolli që policia bëri në banesën e punonjësit të repartit në lagjen “Donika Kastrioti” të këtij qyteti, gjeti dhe bllokoi edhe dy armë automatike kallashnikov dhe një pushkë karabinë. Pas gjetjes dhe bllokimit të armëve policia prangosi edhe kryefamiljarin Osman Kosova, 71 vjeç, për armëmbajtje pa leje. Materialet e kësaj çështje mësohet se i kanë mbërritur organit të akuzës, ku të ndaluarit do të përballen me akuzat që do të ngrihen ndaj tyre.
#