Qato do të mbrojë titullin e kampionit në 20 dhjetor
Është njohur edhe sfida e radhës për boksierin shqiptar, Kreshnik Qato, i cili do të zhvillojë më 20 dhjetor 2008 ndeshjen për të mbrojtur titullin e kampionit të botës në peshën e mesme në versionin WBF. Ajo që e bën më të veçantë duelin e shqiptarit me amerikanin David Estrada, është se ai do të zhvillohet mjediset e Universitetit "Howard" në Washington, që njihet ndryshe si shtëpia e presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, do të hedhë një tjetër hap të madh në karrierën e tij, pasi 30-vjeçari do të zhvillojë më 20 dhjetor 2008 ndeshjen për të mbrojtur titullin e kampionit të botës në peshën e mesme në versionin WBF. Siç dihet, më 4 prill, Qato u ndesh me portugezin Vitor Sá në duelin për kurorën e kampionit të botës të World Boxing Foundation, duke fituar me pikë pas një ndeshjeje të bukur prej plot 12 raundesh. Ajo që e bën më të veçantë duelin e shqiptarit më 20 dhjetor me amerikanin me origjinë guatemalo-meksikan, David Estrada, është se ai do të zhvillohet mjediset e Universitetit "Howard" në Uashington D.C. Ky Universitet ka nxjerrë figura të shquara intelektuale dhe akademike amerikane, midis të cilëve ky institucion mburret edhe me presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Në fakt, në faqen zyrtare të këtij universiteti në Internet, Obama cilësohet si "bir i Howard"-it, pasi ai ka marrë në këtë universitet një doktoratë të jurisprudencës (Honoris Causa), gjatë ceremonisë së 140-të të diplomimit. Obama e përshëndeti me një fjalim këtë ceremoni vjet, ndërsa po në mjediset e këtij Universiteti u mbajt një nga debatet presidenciale të garës së brendshme të demokratëve, ku Obama spikati. Obama e ka vlerësuar këtë universitet si thelbësor në rrëzimin e barrierave raciale dhe në fakt, edhe ndeshja e Qatos ka në këtë kuadër një vlerë të veçantë. Kjo për arsye se, ky duel për kurorën e WBF-së ka edhe një mision humanitar, pasi organizatorët amerikanë kanë përfshirë edhe një projekt që, nëpërmjet boksit, synon t'i tërheqë të rinjtë, sidomos ata me ngjyrë, nga rruga dhe jeta kriminale.