Qeveria reagon ndaj akuzave te opozites: INSIG nuk eshte i rrenuar

Tiranë, 28 mars, 11:45, NOA - Partia Socialiste dhe zyrtarë të saj, të përfshirë nga ethet elektorale, kanë vënë në shënjestër të saj kompaninë INSIG dhe vlerën e tij në treg, duke folur për një rrënim të kësaj kompanie, por kjo nuk është aspak një gjë e vërtetë.
Një fakt i tillë u deklarua sot publikisht nga ministria e Financave, e cila në kundërpërgjigje të akuzave, e cilësojnë situatën e INSIG-ut në treg si mjaft pozitive.
“Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, konfimohet se kompania INSIG për vitin 2008 renditet e dyta në treg nga 10 kompani që operojnë për sigurimet e jetës dhe jo jetës në Shqipëri duke zotëruar mbi 16 % të këtij tregu. A mund të quhet INSIG - sha një shoqëri e “rrënuar” apo në “rrënim” me këto rezultate?”, thuhet në deklaratën zyrtare të qeverisë.
“Një tjetër e dhënë që flet kundër mashtrimeve të Partisë Socialiste është fakti se ndërsa në vitin 2003 kur kompania INSIG u vlerësua vetëm 25 milionë dollarë për 100 % të aksioneve, në vitin 2008 vlera e tij ishte 53.2 milion dollarë ose dy herë me lartë se periudha kur qeveriste partia e Beqjas”, pohon qëndrimi zyrtar i qeverisë për këtë çështje.
“Ndërsa lidhur me pretendimet e PS-së për transparencen e procesit ju kujtojmë se publiku është informuar për të gjitha e fazat e tij”, përfundon deklarata e ministrisë së Financave mbi këtë çështje.
Më pas, jepen shifra konkrete të ecurisë pozitive të INSIG-ut në tregun vendas të sigurimeve, si ajo që konfirmon se rritjen e ndjeshme të primeve bruto me 4.9 milion euro në vitin 2005, në rreth 8.1 milion euro në vitin 2008.
n.e/NOA