E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qevreia nis shitjen trojeve me ndertesa

28/01/2009  Qeveria vendosi privatizimin e trojeve dhe objekteve shtetërore për të cilët ka një kontratë me subjekte private para datës 31 maj 2009. Të ardhurat që do të krijohen nga kjo shitje do të kalojnë për kompensimin e ish-pronarëve. Në vendimin e marrë përcaktohet se trojet që nuk do të paguhen do të kalojnë si të lira në dispozicion të AKKP-së për kompensimin fizik të pronarëve.

Privatizimi

“Të gjitha subjektet që kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas gentplanit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.05.2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit”, - thuhet në vendim. Ndërsa saktësohet se pas afatit të përcaktuar, në rastet kur nuk është paguar qiraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin e subjekteve të shpronësuara. Në rastet kur trualli ka pronarë të njohur me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave trualli i kalon këtij pronari.

Detyrimet

Sipas këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës së mësipërme për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-AKP-ja dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt, dhe brenda 7 ditëve nga mbërritja e dokumentacionit të privatizimit nga drejtoritë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit (DRBUMK) për privatizimet e bëra nga ish-AQRNB-të, i kërkon zyrës rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun përkatës dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që të konfirmojnë statusin e truallit, çmimin përkatës të shitjes të përcaktuar në hartën e çmimeve në zbatim të vendimit nr.183, datë 23.04.2005 të Kuvendit, dhe hartën treguese me të dhënat e nevojshme gjeografike për zonën përkatëse, nëse ato janë të përditësuara.

Zyra rajonale e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme kthejnë përgjigje Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave brenda 15 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

Vlera e qirasë së tokës, e arkëtuar pranë organeve të qeverisjes vendore apo organeve të tjera shtetërore, me të cilat subjektet kanë lidhur kontratë qiraje, 5 % shkon për Ministrinë e Financave, 65% në buxhetin e shtetit dhe 30%, organi i qeverisjes vendore apo organi shtetëror përkatës. Ndërsa të ardhurat e arkëtuara nga shitja e truallit do të kalojnë në masën 100 % për Buxhetin e Shtetit për efekt të fondit të kompensimit financiar për subjektet e shpronësuara.

Dokumentet

- Kërkesën me shkrim për blerje të truallit.

- Vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë të noterizuar, nëse ka, kartelën e pasurisë etj. për objektin, të lëshuara nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës.

- Fotokopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes, lëshuar nga ish-AKP-ja, ish-AQRNB-ja, Ministria e Financave, DASHPP-ja dhe nga ndërmarrjet përkatëse përpara krijimit të agjencive, fotokopje të noterizuar të gentplanit apo planimetrisë së objektit (në çastin e privatizimit).

- Deklaratën noteriale origjinale, në dy kopje, që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›