E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Anëtarësimi në NATO jo meritë e politikës

03/04/2009  Kreu socialist përcjell mesazhe falënderuese për ngjarjen

Kreu socialist Edi Rama përshëndeti anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Por nga ana tjetër nuk vonoi të saktësojë se një ngjarje e tillë u bë e mundur me kontributin e qytetarëve shqiptarë dhe jo nga klasa politike, e cila, përkundrazi, e vonoi këtë proces. “Qysh dje shqiptarët janë zyrtarisht pjesë e familjes euroatlantike. Pas shekujsh e dekadash trazirash e konvulsionesh historike më në fund shqiptarët sot realizojnë dëshirën e atit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili thoshte se në themel të shtetit të ri shqiptar më 1912 do të ishin nomet e Perëndimit”, u shpreh Rama gjatë një konference të posaçme për shtyp. Sipas tij, kjo është dita e shënuar, kur Shqipëria dhe çdo shqiptar ndihet krenar që i bashkohet kësaj aleance, në radhë të parë vlerash, vlerave të pluralizmit, lirisë, demokracisë dhe tolerancës. Ndërkohë gjatë fjalës së tij kreu socialist përcolli mesazhe falënderuese për të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e një ëndrre të tillë. “Është dita për të celebruar shpirtin e lirisë dhe pasionin demokratik të shqiptarëve, që janë realizuesit e kësaj ëndrre të madhe dhe për tu thënë gjithëve, socialistëve e demokratëve apo atyre pa parti, pa dallim moshe, krahine, gjinie, feje e ideje se Shqipëria hyri në NATO falë tyre jo falë politikanëve të saj, që e vonuan 18 vjet këtë ditë të madhe”, - vuri në dukje Rama. Gjithashtu në gjykimin e tij kjo ditë nuk do të ishte bërë realitet pa mbështetjen e tërë aleatëve tanë perëndimore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare. Rama deklaroi qëndrimin e partisë që ai drejton lidhur më një proces të tillë. “Përfitoj nga kjo ngjarje historike për të konfirmuar solemnisht si përfaqësues i opozitës shqiptare se nuk do të reshtim kurrë së kontribuari që Shqipëria të arrijë tërë ato standarde që një vend dinjitoz i NATO-s duhet të ketë dhe nuk do të mungojmë në asnjë apel të kësaj aleance të madhe përballë të këqijave që kërcënojnë botën ku jetojmë. “Sot është dita kur ne shqiptarët duhet të rikthejmë besimin në vetvete, të besojmë në aftësitë tona për të bërë vepra të mëdha, të besojmë se ska asgjë të pamundur, po të jemi bashkë”, - deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›