E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik kokaine me makinë, kapet shqiptari në Itali

02/07/2009  Kërkohej nga Franca

Policia e shtetit italian ka ndaluar së fundmi një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Prej disa javësh ishin zhvilluar disa operacione me bazë të gjerë, të udhëhequra nga Interpoli, pasi ky person ishte dënuar me 4 vjet burg në Francë për transport ndërkombëtar të drogës si dhe kontrabandë të disa mallrave të tjera. Pas një kontrolli që u zhvillua në kështjellën në Villefranche, u arrit të gjendeshin 3 kilogramë kokainë në një autoveturë. Prej asaj kohe ndaj tij u lëshua një urdhër arresti në Francë, ndërsa kërkesa e Interpolit mbërriti edhe në Itali, ku kishte informacione se ai ndodhej aty. Pas disa ditësh, nga disa kontrolle që u bënë në sistemet doganore më 30 maj shqiptari B.I, 33 vjeç u lokalizua dhe më vonë u arrestua për t’iu dërguar më pas autoriteteve franceze që e kishin shpallur në kërkim për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Mësohet se 33-vjeçari mund të ketë kryer edhe herë të tjera transport ndërkombëtar të kokainës, duke përdorur disa mjete transporti, por ende vijojnë hetimet për t’ia vërtetuar këto akuza që deri më tani mbeten të dyshuara, përveç rastit kur iu kapën 3 kg drogë në makinën e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›