E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ky qark do t’i japë PS-së 10 mandate

30/05/2009  Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama çeli dje zyrtarisht fushatën në Lushnjë. Gjatë takimit të tij në këtë qytet Rama deklaroi i bindur se në Qarkun e Fierit PS-ja do të nxjerrë jo më pak se 10 deputetë në parlamentin e ardhshëm. I shoqëruar nga 16 kandidatët për deputetë në për këtë qark, Rama e hapi fushatën në një miting të organizuar në sheshin “Demokracia” të qytetit të Lushnjës. “Lushnja në 4 vjetët e ardhshëm do të ndryshojë rrënjësisht. Këtë e vërteton ardhja ime këtu menjëherë pas çeljes së fushatës në Tiranë. Qarku i Fierit është një nga qarqet që e ushqen Shqipërinë dhe, si i tillë, meriton atë vëmendje që do ta ketë në 4 vjetët e ardhshëm të mandatit socialist”, - garantoi Rama. Përkrah tij përveç kandidatëve për deputetë ishte radhitur dhe kryetari i Bashkisë së Lushnjës Albert Sanxhaku, i cili vetëm 3 ditë më parë në mënyrë demonstrative deklaroi shkëputjen nga LSI-ja, nën siglën e së cilës fitoi këtë post, dhe iu bashkua PS-së.

A. D

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›