E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Plotësoni standardet ndërkombëtare

30/05/2009  Starton zyrtarisht fushata elektorale, kryetari i KQZ-së u dërgon mesazh partive politike

Zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve

Respektim i Kodit Zgjedhor me qëllim arritjen e standardeve ka qenë apeli që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u bëri partive politike me rastin e nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore gjatë një mbledhjeje të shkurtër paraditen e djeshme. Ai uroi gjithashtu që procesi të jetë i pakontestueshëm dhe partitë ta mbyllim fushën me festime, ashtu siç e nisën.

Apeli

“Shqipëria hyn në këtë raund zgjedhor si një vend anëtar i aleancës më të madhe ushtarako-politike të të gjitha kohërave, NATO-s, dhe në këtë kontekst zgjedhjet kanë një rëndësi të dyfishtë: së pari, ato do të provojnë se Shqipëria e meritonte anëtarësimin; dhe së dyti, ato do të na shkëputin një herë e përgjithmonë nga vlerësimet e tipit ‘një hap para’ dhe pa dyshim do të marrin vlerësimin konform standardeve të njohura dhe të pranuara ndërkombëtare”, - tha Ristani. Ai garantoi në emër të anëtarëve të tjerë të KQZ-së se do të vazhdojnë të bëjnë maksimumin për të ruajtur të gjitha standardet dhe zbatimin me korrektësi maksimale të Kodit Zgjedhor. “Fakti që në këtë detyrë jemi të propozuar nga forca të ndryshme politike nuk ndikon aspak në veprimtarinë, gjykimin dhe vendimmarrjen tonë. Angazhimet tona institucionale kanë qenë gjatë gjithë kësaj kohe, janë dhe do të vazhdojnë të jenë në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor, me gjithë kuadrin ligjor që lidhet me procesin, duke përmbushur kështu dhe betimin e bërë kur kemi pranuar funksionin e anëtarit të KQZ-së”, - vijoi ai. Në përfundim ai u uroi partive fushatë të mbarë, e cila të karakterizohet nga konsensusi. Në garën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit do të garojnë rreth 36 subjekte zgjedhore, mes të cilave edhe një kandidat i pavarur. Pavarësisht datës së nisjes zyrtare, partitë politike e kanë nisur atë prej kohësh në të gjithë Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që partitë e mëdha po zhvillojnë edhe ceremoni të posaçme për këtë ditë.

Kodi Zgjedhor

Sipas nenit 77, fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medies si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore. Fushata zgjedhor përveç se në terren, ku kandidatët zhvillojnë me qytetarët takime elektorale, pritet që këtë herë më shumë se proceset e mëparshme zgjedhore të zhvillohet në debate televizive. Kodi Zgjedhor përcakton kohë falas për secilin subjekt pjesëmarrëse në RTSH. Gjatë fushatës zgjedhore çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme. Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë dhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit.

Çelja e fushatës së PS-së

PS-ja zgjodhi sheshin “Demokracia” për të hapur fushatën e saj elektorale. Për herë të parë në tërë këta vjet sheshi “Demokracia” është mbushur me përkrahës të së majtës, të cilët kanë dëgjuar folësit në miting teksa flisnin për ditët e lavdishme të nëntorit të vitit 1990. Një takim elektoral pa flamuj, me përjashtim të dy prej tyre, që u valëvitën vetëm nga fundi i takimit, por që të dy ishin flamuj të PS-së dhe jo kombëtar. Të rinjtë, ku binin në sy më shumë vullnetarët socialistë, mbanin në duar pankarta me një slogan standard: “Politika e re për ndryshim”. Organizatorët kishin ideuar fjalime jo vetëm nga kandidatë për deputetë, por dhe nga përfaqësues të grupeve të interesit, duke mos përjashtuar këtu familjarë të prekur nga tragjedia e Gërdecit apo dhe nga përfaqësues të shoqatës së të verbërve.

Çelja e fushatës së PD-së

PD-ja do të hapë zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit në fillim të javës së ardhshme. Organizatorët e mitingut, që do të zhvillohet mbrëmjen e së hënës, kanë menduar që simpatizantët dhe militantët e PD-së të mos dëgjojnë vetëm fjalime politike, por edhe të festojnë. Për këtë qëllim në skenë do të ngjiten grupe të njohura muzikore dhe këngëtarë po aq të njohur për shqiptarët. Është menduar që në sheshin “Skënderbej”, ku do të zhvillohet ky takim elektoral, do të mbizotërojë ngjyra blu dhe Pallati i Kulturës do të mbulohet nga flamuri kombëtar kuqezi dhe nga ai i Partisë Demokratike. Pas dhënies së mesazhit politiko-elektoral në tribunë do të ngjiten grupe të ndryshme muzikore, si “Elita 5”, këngëtarja Çiljeta Xhilaga, Stine, Bojken Lako etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›