Rama: Rritja ekonomikë është zero, jemi përballë falimentimit. Imami po grabit pasuritë e ushtrisë për interes të Familjes
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u kërkoi deputetëve të tij të angazhohen të enjten në seancë kundër ndryshimeve në ligjin për akcizat. Rama tha se fakti që ligji për procedurat tatimore është ndryshuar 68 herë që kur Berisha ka ardhur në pushtet është një skandal i vërtetë. Kreu i PS u shpreh se rritja ekonomike është zero në muajt e parë të vitit. Rritja ekonomike gjatë këtyre tre muajve është zero. Kriza ka kapur për fyti familjen shqiptare dhe ka rrudhur frikshëm financat publike. Jemi përballë kërcënimit të një falimentimi në kuptimin e plotë të fjalës që nuk ka ndodhur kurrë, tha Rama.
Lideri i opozitës tha se nuk është e vërtetë që janë ulur taksat. Është farë e qartë se me veprimet e qeverisë së sotme dhe politikat e saj aventureske ka vetëm rrënim të mëtejshëm. Një nga gënjeshtrat më të mëdha që është kthyer në gjysëm të vërtetë është se gjatë këtyre viteve janë ulur taksat dhe janë mbledhur më shumë para në arkën e shtetit. Sot ka më shumë taksa mbi pagat, më shumë taksa mbi biznesin e vogël. Rasti skandaloz i dyfishimit të taksave në qytetin e Tiranës është rrënqethës. Sot ka më shumë taksa mbi familjet. Vendosja e taksës së sheshtë nuk ka ulur barrën fiskalë. Përpara vendosjes së taksës së sheshtë, barra fiskale mbi të ardhurat ishte 2 përqind, tani është 10 përqind. Një infermiere paguan sot 30 herë më shumë sot sesa ditën kur doktori u bë kryeministër, kurse doktori paguan sot më pak taksa sesa kur ishte doktor në krye të opozitës, tha Rama.
Taksa e sheshtë nuk rrit pasurinë e vendit. Problemi ynë nuk është me pasurinë, por me varfërinë. Problemi ynë është sistemi që shumicën e të pasurve nuk e lë të pasurohet më shumë. Taksa e sheshtë nuk e ka favorizuar biznesin, por ka favorizuar një grusht korporatash dhe klientë të pushtetit. Për ta ajo ka funksionuar si një parajsë fiskale, vijoi kreu i PS.
Rama tha se tanimë taksohet më shumë konsumi se pasuria. Për të ilustruar rritjen e taksave, Rama solli taksën që paguajmë për televizionin publik. Shqiptarët paguajnë dyfishin për ekranin më të turpshëm në historinë e medias pluraliste. Pasqyrën më fyese, surratin më shembullor të pushtetit të gënjeshtrës, tha Rama.
Kryetari i PS kërkoi që deputetët të thërrasin në interpelancë ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Rama tha se ai po degradon atë ministri me qëllimin e vetëm grabitjen e pasurive të ushtrisë. Rama tha se emërimi i komandantit të flotës kishte këtë qëllim.
Ai del e thotë se nuk ishte në dijeni që po shkelte kompetencat e Presidentit të Republikës. Çështja e emërimit të tij ka lidhje me synimin për ti gllabëruar flotës pasuritë dhe për ti kyçur në oborrin e pushtetit të Berishës. Këtë e di gjithë opinioni publik.
Ministër mbrojtje që thotë se nuk ishte në dijeni se emërimi i Komandantit të Flotës është kompetencë e presidentit, nuk është ministër për të mbrojtur atdheun dhe angazhimet që kemi brenda NATO-s, është ministër për të mbrojtur interesat e paligjshme të barkut të oborrit të Familjes së Berishës mbi pronat e ushtrisë, tha Rama.
Ushtarakët e lartë thonë se transferimi i kërkuar nga ministri nga baza e Bisht Pallës, një nga zonat më të lakmuara nga ata pronarët që kanë zbritur drejt bregdetit në vitet 90 kushton 3.8 milion euro, që u kalon si faturë taksapaguesve. Këta do paguajnë që pronën e Bisht Pallës ta marrin ata që i kanë vënë syrin, vijoi ai.