E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama apel Qeverisë për shpronësimin e unazës së vogël

02/03/2010 Rehabilitimi i sheshit “Skënderbej”

Punimet për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej” do të iniciojnë pas zgjidhjes së problemit të shpronësimeve përgjatë unazës së vogël. Për të disatën herë, kryebashkiaku Edi Rama i ka kërkuar Qeverisë që të zgjidhë problemin e shpronësimeve të këtij segmenti, çka do të lejonte zbatimin e projektit për kthimin e sheshit në funksion të këmbësorëve. Për të përballuar fluksin e trafikut dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve gjatë kësaj periudhe që do të punohet për restaurimin e këtij sheshi, ka nisur puna për rikonstruksionin e katër rrugëve të tjera: “Abdi Toptani”, “Bardhok Biba”, “Urani Pano” dhe rruga pas Pallatit të Kulturës. Gjatë inspektimit të punimeve në këto rrugë, kryetari Rama i bëri thirrje Qeverisë që të shpronësojë rrugën që hap arterien e unazës së vogël, pranë godinës së “Insigut”, duke mundësuar kështu devijimin e të gjitha makinave që sot kalojnë detyrimisht në sheshin “Skënderbej”. “Duke përsëritur edhe një herë apelin e qytetarëve ndaj Qeverisë, që të hapë rrugë për shpronësimin e domosdoshëm dhe krijimin e kushteve që të mbyllet unaza e vogël, e cila do ta spostojë përfundimisht trafikun nga qendra dhe do t’i japë mundësi qendrës që të funksionojë për këmbësorët, ne sot po prezantojmë përpjekjen tonë për të hapur një rrugë ndihmëse provizore, e cila do të mund të devijojë trafikun, duke lejuar fillimin e punimeve në këtë shesh”, ka deklaruar Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›