E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raport për vendin e grumbullimit të mbetjeve urbane

28/04/2010 Në Gramsh, vendi i përpunimit u kthye në një stallë për rritjen e derrave

ELBASAN- Specialistët e mjedisit nga projekti KARTZ kanë përgatitur me ndihmën e specialistëve të Elbasanit një raport mbi zgjidhjen e problemit të mbetjeve urbane në Elbasan, ide që do të përfundojnë në Ministrinë e Mjedisit. Sipas këtij raporti, në mungesë të një lëvizje qeveritare në lidhje me mbetjet urbane Bashkia Elbasan dhe qarku kanë propozuar dy zgjidhje, dampa e Metalurgjikut dhe dampa e Paprrit. Por ky raport i hedh poshtë të dyja këto alternativa duke i quajtur të dyja vendet e papërshtatshme. Specialisti i KARTZ ka përfshirë në raport se Dampa e Paprrit ka nevojë për ndërtimin e një rruge që të çon në të. Vetë dampa ka mbetje të metaleve të rënda nga prodhimi i koksit. Raporti i UNDP mbi këto mbetje i ka identifikuar si mbetje të llumta dhe thellësia mund të jetë e madhe. Nuk është një vend i përshtatshëm pasi ekziston edhe një rrjedhë sipërfaqësore uji që derdhet në fund të digës dhe në këtë pjesë edhe peshkohet. Vendi i dytë i propozuar nga bashkia ndodhet në breg të lumit Shkumbin në perëndim të qytetit brenda kompleksit të vjetër metalurgjik. Është një zgjedhje shumë e varfër meqë ndodhet në shtratin e lumit në një fushë aluvionale. Mund të shërbejë në të ardhmen si një impiant për trajtimin e ujërave, por nuk ka të ardhme si vendgrumbullimi për mbeturinat për shkak të mundësisë së përmbytjes dhe erozionit të mundshëm të lumit. Gjithashtu specialisti i KARTZ pasi ka bërë prezantimin e këtij raporti edhe për qytetet e tjera në qarkun e Elbasanit. Ai ka renditur edhe Gramshin që i hedh mbetjet në anë të lumit Devoll dhe kur uji shtohet ato ikin bashkë me ujin. Ndërkohë mësohet se investimi për një impiant përpunimi në qytetin e Gramshit ka ndërruar destinacion. Kështu fusha e ndërtuar vite më parë dhe sistemi i përpunimit janë kthyer në një stallë për rritjen e derrave nga një banorë i zonës, të cilën bashkia ia ka dhënë në përdorim. Specialistët pritet të prezantojnë këtë raport pranë Ministrisë së Mjedisit për të përcaktuar edhe strategjitë për përpunimin e mbetjeve urbane. Një projekt i veçantë pritet të jetë edhe plani i veprimit nga UNEP dhe UNDEP për mbetjet e rrezikshme. Kjo sipas përfaqësuesit të KARTZ do të bëjë të mundur edhe përmbushjen e detyrimeve në kontekstin e legjislacionit të BE që ndikon edhe në integrimin. Ai ka deklaruar se trajtimi i mbetjeve të rrezikshme si industrial dhe spitalore është mjaft i rëndësishëm dhe duhet të realizohen projekte të mirëfillta për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›