E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zëvendësimi i gjyqtarëve, me rëndësi për procesin kushtetues”

28/04/2010 Presidenti pret kreun e Gjykatës së Lartë Kroate

Zëvendësimi i katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese ishte në qendër të bisedimeve që u zhvilluan mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin. Ky i fundit u prit nga kreu i shtetit shqiptar, i cili, pasi i uroi mirëseardhjen, i bëri një përshkrim të hollësishëm të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, si dhe të sfidave me të cilat ky sistem përballet, me qëllim konsolidimin e pavarësisë së tij dhe rritjen e profesionalizmit. Në këtë drejtim, kreu i shtetit nënvizoi “rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit kushtetues të zëvendësimit të katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese”. Presidenti Topi theksoi se institucionet e drejtësisë dhe i gjithë sistemi gjyqësor duhet të zbatojnë parimet e shtetit të së drejtës, sipas standardeve më të larta të familjes evropiane, si dhe të sigurojnë integritet dhe profesionalizëm në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të jetë i paanshëm, duke iu larguar përfundimisht ndikimeve të çfarëdolloj natyre. Lidhur me marrëdhëniet politike mes dy vendeve tona dhe zgjerimit të tyre, Topi vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të vyera mes institucioneve të ndryshme të drejtësisë, duke vënë në pah se vizita të tilla kontribuojnë për të shkëmbyer mendime e përvoja për modelin e shtetit të së drejtës, si dhe për rritjen e cilësisë së punës dhe integritetit të gjykatësve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›