E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BSH-së: Në 6 muajt e parë, 19% më shumë turistë

Banka e Shqipërisë ka publikuar ditën e djeshme raportin mbi Bilancin e Pagesave në ekonomi në gjashtë muajt e parë të vitit 2008. Raporti vëren se të ardhurat nga turizmi po rriten ndjeshëm, kur në këtë periudhë numërohen 19 për qind turistë më shumë. Sipas Bankës së Shqipërisë, 45 për qind e njerëzve që kanë hyrë në kufirin shqiptar, kanë qenë turistë, ndërsa 51 për qind kanë qenë emigrantë shqiptarë. Nga ana tjetër është vërejtur edhe rritja e udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit. Vlerësohet se nga Shqipëria janë larguar 494 milionë euro, me një rritje vjetore prej rreth 28 për qind. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së numrit të udhëtarëve me 36 për qind. Një tjetër faktor që vazhdon të ndikojë në rritjen e importit të shërbimeve të udhëtimit, është shpenzimi ditor i udhëtarëve, rrjedhim i nivelit të lartë të çmimeve që karakterizon vendet e Eurozonës, destinacionet kryesore të udhëtarëve rezidentë. Ekonomia shqiptare vazhdon të përfitojë të ardhura në valutë prej punës së punonjësve sezonalë dhe investimeve të rezervave valutore të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente dhe njëkohësisht, të paguajë interesat për borxhin e jashtëm. Rezultati neto i transaksioneve në të ardhura mbetet pozitiv edhe gjatë këtij gjashtëmujori dhe vlerësohet në rreth 129 milionë euro me një rritje vjetore prej 33 për qind. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga investimet në formën e investimeve të portofolit dhe prej investimit të rezervës tonë valutore në institucione jorezidente. Gjashtëmujori i parë i vitit 2008 ka pasur një fluks të lartë shkëmbimesh tregtare. Vëllimi i përgjithshëm tregtar këtë gjashtëmujor arriti afërsisht vlerën e 2 miliardë eurove, duke u vlerësuar 18 për qind më i lartë se niveli i së njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Eksportet vlerësohen të jenë rritur me 18.6 për qind, ndërsa importet të jenë rritur me 17.1 për qind. Deficiti tregtar gjatë këtij gjashtëmujori arriti në 1,2 miliardë euro ose 16.6 për qind më i lartë se periudha korresponduese e një viti më parë. Megjithatë, vërehet një rënie në ritmet e rritjes së deficitit tregtar, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit, megjithëse industria përpunuese përbën pjesën dërrmuese të eksporteve të vendit tonë, duke përfaqësuar 62.7 për qind të tij. Peshën më të madhe të eksportit të brendshëm e zënë produktet minerale dhe metalet bazë. Produktet minerale, që përfaqësojnë 43 për qind të eksportit të brendshëm, janë rritur me rreth 50 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i shtimit të kapacitetit prodhues vendas në lëndë të para minerale si sulfuret, oksidet si dhe lëndët djegëse. Gjithashtu, metalet bazë gjatë këtij gjashtëmujori janë dyfishuar, duke rritur nivelin e përfaqësimit në totalin e eksportit të brendshëm, nga 24 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2007 në 35 për qind, në fund të këtij gjashtëmujori. Karburantet dhe lubrifikantët kanë pësuar një rritje prej rreth 33 për qind në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit paraardhës, duke përfaqësuar kështu 15.5 për qind të totalit të shpenzimeve për import. Prirja e theksuar rritëse që karakterizon çmimin e naftës në tregjet ndërkombëtare, ka ndikuar në rritjen e çmimit të lëndëve të para dhe në krijimin e presioneve inflacioniste, duke ndikuar kështu negativisht në ekonominë vendase e atë botërore. Hyrja në fuqi e CEFTA-s në korrik të 2007-ës, ka ndikuar pozitivisht në burimin e të ardhurave nga eksportet tona drejt rajonit. Këto janë rritur me rreth 50 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zënë 14.3 për qind ndaj totalit të eksporteve. Tregtia me Maqedoninë dhe shtetin e ri të Kosovës ka dhënë kontributin kryesor në këtë rritje.

Gati tenderi për licencën e celularit të katërt

Burime pranë Ministrisë së Transporteve kanë bërë të ditur se tenderi për dhënien e licencës së opetarorit të katërt të shërbimit celular, është tashmë gati dhe pritet të hapet në fillim të muajit tetor. Të njëjtat burime saktësojnë se operatori i katërt pritet të fillojë nga punë në marsin e vitit 2009. Sipas ligjit të ri që është miratuar në Kuvend për telekomunikacionin, operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit mund të ruajnë dhe të përpunojnë të dhënat e trafikut, të nevojshme për faturim, dhe pagesat e interkonjeksionit deri në përfundimin e pagesave. Tarifat e tyre duhet të jenë të orientuara drejt kostos, gjë që nënkupton një normë fitimi të arsyeshme për operatorët me fuqi të ndjeshme në treg. Kjo normë duhet të jetë sa e operatorëve të tjerë të komunikimeve elektronike në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe vendeve me zhvillim të ngjashëm me atë të Shqipërisë. Ofruesit e shërbimit publik të komunikimeve, me qëllime marketingu të shërbimeve të komunikimeve elektronike ose për ofrimin e shërbimeve me vlerë të shtuar, mund të përpunojnë të dhëna të trafikut vetëm pas pranimit paraprak nga pajtimtari ose përdoruesi. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve të rrjeteve publike të komunikimit janë të detyruar të përcaktojnë në kontratë mënyrën e ruajtjes, kohëzgjatjen, mënyrën e përpunimit të të dhënave të trafikut.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›