E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Dik Martit, një zhurmënajë me prapaskenë të dyshimtë

23-12-2010 / Nga Eden Babani (Bruksel)

Në një shkrim të para dy a tri ditëve, pata shprehur mendimin se “rastësisht ose jo” qerthulli i dyshimeve të ngritura për të përbaltur imazhin e Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në përgjithësi, të hedh në Alpet Helvetike. Është fakt i njohur që Zvicra ka qenë qendra ku u strehuan dhe u rehatuan shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme, qysh përpara Luftës së Parë Botërore. Aty e zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe në periudhën mes Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë. S’ka asnjë dyshim se aty kanë përjetuar edhe të ashtuquajturën Lufta e Ftohtë, edhe periudhën pas rënies së Murit të Berlinit. Të gjitha vendet pjesëmarrëse në konfliktet e përbotshme të shekullit të kaluar, të nxehta e të ftohta, e njihnin këtë të vërtetë. Pa as më të voglin dyshim, duhet ta njohin edhe sot. Ishin në dijeni, madje duhet të jenë ende, shtetarët e konfederatës së vogël asnjanëse. Të gjithë e kanë pranuar këtë realitet dhe kanë bërë të paditurin, ani se, po të mblidheshin të gjithë librat me kujtime të spiunëve më të mëdhenj që ka njohur historia e njerëzimit, shpërndarë bibliotekave të ndryshme anekënd botës, do të përbënin një bibliotekë origjinale, ndoshta më interesanten.
Në këtë mjedis pjellor helvetik, nuk përbën çudi lulëzimi i ndonjë filizi të antishqiptarizmit, një nocion i kultivuar ndër shekuj nga fqinjët tanë shovinistë. Ujku do mjegull. Dhe ujku grabitqar serbomadh zor se do të gjente mjegullnajë më të  përshtatshme informacioni a dezinformacioni, mediatik ose jo, shpërndarë  nga shërbimet sekrete. Ishte e pritshme që vrullin e ri revanshist, serbizmi ta rimerrte më lehtë në qendrën gjeografike të Europës, sesa në Beogradin e leqendisur prej shovinistësh të konsumuar e groteskë. Tashmë, në skenë do të dilnin aktorë të rinj. Me statusin e ri të diplomates, zonjës Del Ponte nuk do t’i shkonte përshtat të amplifikonte dyshimet e publikuara në broshurën e vet “Gjurma”. Kali i betejës së saj antishqiptare, i duhej deleguar dikujt tjetër. Më i përshtatshmi sigurisht, do të ishte bashkëkombësi nga Lugano, Dik Marti, një njeri me potencial të njohur antishqiptar.
Fill pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Marti, do t’i jepte një intervistë gazetares së pavarur zvicerane, Silvia Katori, botuar më 12 mars 2008 në “Edicioni ndërkombëtar Volter” (Voltaire, edition Internationale). Shpërthimi i helmit të bashkëkombëses gazetare të Carla Del Pontes dhe të Dik Martit ndaj shqiptarëve, bie në sy qysh në paratitull e në titull: “Kutia ballkanike e Pandorës” – “Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë”. Me këtë dashakeqësi të paskajshme, gazetarja zvicerane ka paragjykuar qysh në zanafillë të procesit se pavarësia e Kosovës, as më pak, as më shumë, do të shkaktonte katastrofa për gjithë rajonin. Kjo është edhe kuintesenca e intervistës, e cila synon t’u u mohojë shqiptarëve të Kosovës shqiptare luftën e tyre për liri e pavarësi. Pa i lënë kohë të njihet me brendinë e intervistës, thua se synon ta hipnotizojë lesuesin, Silvana Katori e përmbledh tërësinë e pyetje-përgjigjeve në një rezyme shumë kuptimplote: “Kosova e shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme, më 17.02.08. Cila do të jetë Kosova e nesërme? Duke njohur pavarësinë e Kosovës, e cila ka pritur (në territorin e saj, E.B.) bazën ushtarake amerikane më të madhe në botë, Shtetet e Bashkuara,  Gjermania, Franca, Zvicra, mos vallë, kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke krijuar një padrejtësi ndaj popullit serb, duke ndezur zjarre të shuar keq, duke përgatitur terrenin për konfrontime të dhunshme në Ballkan?”
Asohere Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme në Këshillin e Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dik Marti, siç del nga pyetjet e përgjigjet që ndjekin rezymenë e mësipërme, iu kundërvu politikës zyrtare të Zvicrës, e cila, ndër të parat, njohu Kosovën e Pavarur. Pyetjes mos vallë kjo njohje përbënte një precedent të rrezikshëm, Marti i përgjigjej se ai nuk e kishte kuptuar asnjëherë qëndrimin zonjës Calmy-Rey, ish Ministre e Jashtme, e cila, qysh në vitin 2006, ishte shprehur haptazi pro pavarësisë së Kosovës. Sa më sipër, nuk lë asnjë dyshim se Dik Marti, më së pari ka qenë tepër i interesuar që Kosova të mbetej provincë e Serbisë.
Një pyetjeje tjetër nëse ngutja e Zvicrës lidhur me këtë dosje, e kishte befasuar ose jo zotin Marti, ky i përgjigjet: “Unë nuk e kuptoj pse Këshilli Federal nuk u dëgjua përpara. Këtu ka diçka të papritur. Pavarësia e Kosovës nuk u vendos në Prishtinë. Shumica e vendeve nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin.”
Për fatin tonë të mirë dhe për fatin e tij të keq, profecia i Martit nuk u realizua dhe, me sa shihet, nuk do të realizohet as në të ardhmen, me gjithë dëshirën e papërmbajtur për të përbaltur shqiptarët. 
Për kureshtje të lexuesit, e shoh të udhës të shtoj se zonja Katori, me origjinë nga kantonet italishtfolëse të Zvicrës, është gazetare e pavarur. Siç vihet në dukje në faqen “Voltaire, edition internacionale”, vitet e jetës së saj, kaluar “përtej detit”, në Azinë Juglindore dhe në Oqeanin Indian, i kanë dhënë mundësinë të bjerë në kontakt me mjedise të ndryshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe të fitojë një farë mirëkuptimi mes syresh. Ajo ka tërhequr vëmendjen, veçanërisht, si dëshmitare, lidhur me një proces ndaj Tsahal-it (ushtria i Izraelit) në Cisjodrani. Është bëre e njohur sidomos si përkrahëse e çështjes palestineze, si edhe për konsideratën e saj tendencioze ndaj shtetit hebre, të cilin e quan “Shtet Patologjik”, duke bërë dashur-padashur lojën e Bin Ladenit, të Ahmadinexhatit e të terrorizmit ndërkombëtar, kundër SHBA-së dhe BE-së. 
Siç shihet, intervista e paradyvjetëve e Dik Martit, një kondensim i qëndrimit të tij kundër Kosovës dhe pro Serbisë, vërteton se Raporti i fundit për trafikim të organeve njerëzore nga ana udhëheqësve të UÇK-së nuk është veçse një zhurmënajë e lëshuar për qëllime antishqiptare. Raporti i tij, tashmë i denoncuar nga organizma dhe organe të njohura shtypi me reputacion të padiskutueshëm, fsheh një prapaskenë të dyshimtë me skenografi të hartuar në rrethana të errëta. Kali i tij i ri i betejës, zbritur nga Alpet e Zvicrës, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, është risi e pabesueshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›