Raporti zyrtar: 592 pika shesin karburant jashtë standardit
Tiranë – Inspektoriati Qendror Teknik(IQT) publikoi pasditen e të enjtes raportin e inspektimit 8 mujor të tregut të naftës dhe gazit në vend. Sipas të dhënave të raportit, të realizuara gjatë periudhës Janar- Gusht 2011, rezulton se në territorin e Shqipërisë tregtohet karburant jashtë standartit në plot 592 pika karburanti në tërë vendin. Prefektura Tiranë – Kavajë ka numrin më të madh të subjektëve të tregtimit të naftës dhe gazit, 558 të tilla. Nga të cilat 103 janë sh.a dhe 455 janë shoqëri sh.p.k. Po të citohet raporti vërehet se nga 5,539 analiza laboratorike të kryera, 4,947 analiza rezultojnë brenda standartit, ndërsa 592 analiza e tjera rezultuan jashtë standartit. Në nenin 15, pika 6 e ligjit Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënproduktëve të tyre cilësohet qartë: Stacionet e shitjes së karburantëve përgjigjen për cilësinë e karburantëve, duke ruajtur për këtë qëllim edhe kampionët përkatësë të karburantëve, të furnizuara nga shoqëritë e tregtimit me shumicë.
IQT-ja realizon mbikqyrjen e tregut nëse produktet e hedhura janë të sigurta. Kjo mbikqyrje ka për qëllim të mbrojë konsumatorin dhe të sigurojë se bizneset e ligjshme kanë mundësi që të konkurojnë në një treg të rregullt dhe të barabartë. Sipas ligjit gjobat për këto shkelje variojnë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë. Ndërkohë IQT nuk raporton nëse ka vendosur gjoba subjektëve shkelëse.
Në raport nuk përmenden emrat e subjekteve të cilat kjanë rezultuar se shesin karburant jashtë standërteve. Në vazhdimësi, kontrollet kanë zbuluar distributorë që sheshin karburant jashtë standarti, por edhe gjobat e vëna, nuk kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë. Ajo që duhet të bëjë sot IQT, është publikimi i emrave të kompanive, pasi drejtuesit e automjeteve duhet të dinë që cili shet karburant të keq. Ky do të ishte edhe ndëshkimi më i mirë për matrapazët e këtij tregu. Karburanti jashtë standartit, përveç se dëmton makinat është edhe një ndotës i madh i mjedisit.
Dorina Bilbili/ IDEA
Shkrime të tjera me interes: