E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet ishin me standardet më të larta

Kryeministri

Kryeministri Berisha i cilësoi zgjedhjet e shkuara në vend si të lira, demokratike dhe që kanë realizuar standardet më të larta. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Rufi Osmanin, teksa ishte duke folur për zhvillimet pozitive në vendin tonë. Sipas Berishës, tashmë është e udhës që secili ta menaxhojë votën që i kanë dhënë qytetarët në këto zgjedhje. “Zgjedhjet e lira e demokratike të zhvilluara te ne janë të certifikuara e të krahasueshme me shumë vende europiane. Prandaj askush nuk duhet të konsiderohet i humbur. E rëndësishme është të menaxhohet me dinjitet rezultati i gjithsecilit në favor të së mirës së përgjithshme”, deklaroi Berisha. Nga ana e tij, Osmani e njohu Berishën me arritjet e qeverisjes së krahinës, frymën politike dhe problemet e zhvillimit që ekzistojnë në komunitetin që ai përfaqëson dhe më gjerë. Kryeministri Berisha theksoi se politika e qeverisë shqiptare ka qenë dhe do të mbetet përherë e hapur, vëllazërore dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët e spektrit politik shqiptar në rajon e më gjerë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›