E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replika për tekstin, Kuvendi miraton mes debateve rezolutën për vizat

Seanca PS kërkon heqjen e paragrafëve ku i bëheshin “lavde” qeverisë. Berisha sulmon analistët

Mes shumë debatesh, pozita dhe opozita kanë miratuar dje një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë për çështjen e liberalizimit të vizave. Drafti që u korrigjua pas replikave mes Gramoz Ruçit dhe Sali Berishës arriti të marrë 127 vota “pro” dhe asnjë kundër. Në tekst mbështetet dhe shtyhet Brukseli drejt marrjes së vendimit për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptar brenda 1 korrikut të këtij viti. Mazhoranca pranoi që të heqë nga teksti pjesët ku flitej për njohjen e arritjeve të qeverisë në këtë proces. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, deklaroi në seancë se “çështja e integrimit të vendit në familjen e demokracive europiane ka gjetur angazhimin tonë. E kemi parë kurdoherë në sytë e shqiptarëve ëndrrën për integrimin e vendit dhe jemi angazhuar në qeveri apo opozitë për të realizuar këtë”. Sipas saj, prania në Kuvend edhe pse ka një problem të pazgjidhur, provon këtë pa asnjë fije dyshimi. Ajo këmbënguli se statusi i vendit kandidat po vonon për shkak të keqqeverisjes ashtu sikurse vonesa për marrjen e vizave është për të njëjtin shkak. “Kemi ardhur këtu jo për të ngritur dorën për një projektrezolutë ku lavdërohet puna e Partisë Demokratike”, u shpreh Dade. Le të biem dakord, vijoi ajo, që sot se nuk duhet të luajmë me interesin e përbashkët për heqjen e vizave. “Nëse futja e rezolutës nuk është lojë e politikës së ditës dhe për ta pasur opozitën në Kuvend jashtë axhendës së saj, atëherë tregojeni këtë duke pranuar vërejtjet tona që nuk e cenojnë, por forcojnë përmbajtjen e saj”, theksoi Dade. Kryeministri Sali Berisha falënderoi deputeten e PS-së, Arta Dade, pavarësisht pse siç tha ai, “rreshtoi një sërë të pavërtetash para meje”. Nuk dua të bëj, vijoi ai, asnjë koment nga ato që zonja e nderuar rreshtoi këtu. “E kam një keqardhje dhe këtë shpresoj të ma pranojë. Ju e dini se çdo ditë hapni shtypin dhe gjeti me germa kapitale këto apo ato për Sali Berishën. Më bëhet qejfi, sepse ka familje të tëra në fakt që marrin rrogat përmes atyre titujve. Ka analistë dhe pseudoanalistë që paguhen majmë për të shpifur, por tek e fundit familjet e tyre jetojmë mirë dhe ky është qëllimi im. Shumë prej tyre fitojnë aq shumë sa marrin rrogë tri-katër herë më të madhe se Kryeministri, le ta gëzojnë”, tha Berisha. Ligjërata jote, vijoi ai, nuk të ndihmoi ty pasi t’i nuk ke përfituar nga anti-Berishizmi. Pas shumë diskutimesh u ra dakord që të formulohej një tekst konsensual për rezolutën dhe më pas ai u hodh për votim. Një nga pikat që u hoqën ishte që thoshte se “vlerëson arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të procesit të liberalizimit të vizave dhe inkurajon qeverinë e Republikës së Shqipërisë për vazhdimësinë e përpjekjeve për të konsoliduar më tej progresin tashmë të konsiderueshëm, të njohur dhe të vlerësuar nga institucionet e BE”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›