E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezart Taçi drejt gjykimit të shkurtuar

12/03/2010 Avokatët kërkojnë të njihen me dosjen, më pas të konsultohen me klientin

Bosi i “Taçi Oil” akuzohet për rrahjen e gazetarit Mero Baze, pak muaj më parë

TIRANË- Rezart Taçi, pronari i “Taçi Oil” dhe i disa bizneseve të tjera, është duke parë mundësinë e gjykimit të shkurtuar para gjyqtarit Petrit Çomo. Këtë fakt e pohuan në seancën e djeshme avokatët e tij mbrojtës Artan Hajdari dhe Maksim Haxhia. Ata që në fillim kërkuan të njihen me dosjen e sjellë nga akuza për t’u konsultuar më pas me klientin e tyre nëse do të pranojnë apo jo gjykimin e shkurtuar. Një tjetër kërkesë e bërë para gjykatës ishte edhe ajo e avokatit Arben Prifti që mbron interesat e dy bodigardëve të Taçit, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo. Sipas Priftit, gjykata duhet t’i bëjë me dije nëse në dosjen e ardhur për gjykim ndodhet ndonjë akt ekspertimi mjeko-ligjor për klientin e tij Irgen Selfo. Sipas avokatit, Selfo ka një të çarë në buzë të shkaktuar nga mjete të mprehta. Ai tha se ka qenë gazetari Mero Baze që e ka goditur me një tavëll duhani. Më pas përgjigja e gjyqtarit Petrit Çomo ishte qartë. Sipas drejtuesit të seancës, në dosje ndodhet një akt ekspertimi që vërteton se Irgen Selfo është goditur në buzë me mjete të mprehta. Por kjo goditje nuk klasifikohet si rrahje dhe në këtë rast nuk ka vepër penale. Pasi kanë ngritur disa pretendime të para, avokatët kërkuan kohë me qëllim shqyrtimin e dosjes. Rezart Taçi dhe dy truprojat e tij akuzohen se kanë goditur për shkak të detyrës gazetarin Mero Baze. Mirëpo nga ana e të pandehurve është pretenduar se nuk e kanë njohur si gazetar dhe kanë rënë pre e provokimeve të tij. Sipërmarrësi 38-vjeçar ka pohuar se akuzat që i bëhen janë pjesë e një skenari të menduar me kohë ndaj bizneseve që ai ka në zotërim, Irgen Selfo dhe Bledar Liro. Të tre personat, sipas Prokurorisë, akuzohen për “goditje për shkak të detyrës” në dëm të gazetarit Mero Baze në ngjarjen e ndodhur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, në lokalin “Kapricio”. Të pandehurit deri tani nuk janë paraqitur asnjëherë në sallën e gjyqit, por janë përfaqësuar nga avokatët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›