E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e KiE Permiresoni kodin elektoral

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës përsërit thirrjen ndaj Shqipërisë, për përpjekje në funksionimin e demokracisë dhe kryerjen e reformave për integrimin e vendit. Një raport i hartuar nga suedezi Bjorn Von Sydow, që bën pjesë në komitetin e çështjeve politike, paraqitet situata më e fundit në vendet e Ballkanit, ku nuk përjashtohet Shqipëria. Në raport janë pasqyruar ngërçi politik që pasoi zgjedhjet e 2009-ës, procesi i 8 majit, problemet me zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa i rekomandohet politikës shqiptare që të bashkëpunojë për reformat. Në draft sugjerohet që në procesin e reformës elektorale të krijohen hapësira ligjore që i mundësojnë partive të vogla të përfaqësohen në parlament. 
 
“Inkurajojmë të gjitha partitë të përpiqen pa asnjë vonesë për funksionimin e demokracisë së tyre të brendshme, të ecin përpara në normalizimin e situatës politike dhe të fillojë një dialog politik në parlament për prioritetet dhe reformat e nevojshme që duhen realizuar në kuadër edhe të procesit integrues në Bashkimin Europian. Mirëpresim angazhimin e dy partive të mëdha për të vijuar me reformën elektorale dhe i bëjmë thirrje që kjo reformë të sigurojë përfshirjen edhe të partive të vogla, dhe të krijojë mundësinë që ato të hyjnë në parlament. Kjo do t’i jepte fund bipolarizimit politik që ka dominuar politikën shqiptare dhe ka shqetësuar qytetarët në dekadën e fundit. Këshillat e Komisionit të Venecias për reformën elektorale të merren në konsideratë”, thuhet në raport.

Gjithashtu në draft rezolutë propozohet që të monitorohet në vazhdimësi situata në vendet ë Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosovë, Bosnjë Hercegovinë dhe Shqipëri. Lidhur më Kosovën, nuk ka mbetur jashtë vëmëndjes situata e krijuar në veri të Kosovës, ndërsa mes të tjerash, rekomandohet nisja e menjëhershme e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në ndërmjetësinë e Bashkimit Europian.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›