E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ringjallja” e Moxartit,Gjenden partiturat e humbura

“Ringjallja” e Moxartit,Gjenden partiturat e humbura

Lorena Kollobani

Një pjesë e mëparshme dhe e panjohur muzike nga Moxarti është zbuluar në një bibliotekë në pjesën perëndimore të Francës. Ulrich Leisinger, drejtuesi i kërkimeve në “Fondacionin Internacional të Moxartit” në Austri tha se fleta e vetme e muzikës ishte me të vërtetë e rëndësishme. “Shkrimi i tij i dorës ishte në mënyrë absolute i identifikueshëm”, - shtoi ai. “Nuk ka dyshime se kjo është një pjesë origjinale e shkruar nga shkrimi i dorës së vetë Moxartit”. Fleta u gjet mes arkivave nga stafi në një bibliotekë të Nantës.

Z. Leisinger tha se punonjësit e bibliotekës kontaktuan fondacionin për t’i kërkuar ndihmë për vërtetësinë e pjesës së gjetur. Pjesa e luajtur është një skicë melodie dhe çka mungon në të është harmonia dhe orkestrimi, por atë mund ta ndiesh gjithsesi.

Agjencia “Associated Press” citon studiuesit austriakë të kenë thënë se faktet rrethanore, mes tyre edhe lloji i letrës së përdorur, tregojnë se muzika ishte shkruar para vitit 1787.

Pjesa të lë përshtypjen e të qenit një kredo në Do maxhor, por siguria nuk është e plotë akoma. Sipas një muzikanti të Nantës, i cili ka parë veprën, dokumenti përbëhet nga dy pjesë, një pjesë me katër kohë, me 15 tonalitete.

E megjithatë, ekziston edhe një pjesë e dytë e gjetur nga po i njëjti autor që duket si një draft fillestar me pjesë të pakuptueshme sipas një zyrtari të bibliotekës.

Nga arkivi rezulton se këto pjesë kanë përfunduar në bibliotekë nga një koleksion i Pierre-Antoine Laboucheroe, një koleksionisti të shekullit të 19-të i cili ia dhuroi trashëgiminë e tij qytetit.

Pjesët fillimisht u klasifikuan si pjesët më të çmuara të bibliotekës, por me kalimin e viteve ato u harruan pothuajse fare për t’u rizbuluar nga punonjësit aty në arkiva dhe për tu vërtetuar më pas nga studiuesit e fondacionit austriak vitin që shkoi.

Z. Leisinger tha se gjatë 50 viteve të fundit janë zbuluar 10 pjesë me rëndësi të Moxartit të cilat secila shiteshin minimumi 100,000$.

Volfang Amadeus Moxart ka qenë dhe është një nga muzikantët më brilant që bota ka njohur ndonjëherë. Ai ishte një mjeshtër me dhunti të veçanta që kompozoi gati në të gjitha zhanret muzikore si dhe prodhoi një numër të madh veprash, pavarësisht nga vdekja e tij e parakohshme në moshën 35-vjeçare. Kombinimi i bukurisë shkëlqyese të tingullit me elegancën klasike dhe perfeksionin teknik i bën veprat e tij të pavdekshme.

Moxarti lindi në Salzburg të Austrisë më 27 janar të 1756-ës. Ai u pagëzua me emrin Johan Krisostomus Volfang Theofilos Moxart ku nga greqishtja, Theofilos do të thotë «I dashur nga Zoti». Më pas ky emër u përdor në italisht Amadeo ose Amade (në frëngjisht), që ishte dhe emri i tij i preferuar. Gati të gjitha dokumentet zyrtarë të ruajtur mbajnë firmën “Amade”. Babai i tij, Leopold Moxart, ishte një kompozitor i njohur gjithashtu, një violinist i shkëlqyer si dhe muzikant i oborrit të Kryepeshkopit të Salzburgut.

Opera nga ana tjetër ishte një nga pasionet më të mëdha të Moxartit. Operat e tij më të famshme “Martesa e Figaros“ (1784), apo “Don Zhuani“ (1787) u pritën me entuziazëm nga publiku. Shumë vepra të tjera të mrekullueshme si “Haydn“, kuartete në violinë të kompozuara për nder të kompozitorit të madh Joseph Haydn, 12 sonata për violinë, 10 sonata për piano, kuintete etj. u kompozuan nga Moxarti po gjatë viteve të qëndrimit të tij në Vjenë.

Ndryshe nga ato që thuhen (se ai e krijonte çdo gjë në mendje), Moxarti fillimisht i skiconte të gjitha idetë e tij dhe mbante shumë shënime. Më pas i përfundonte të gjitha kompozimet në bazë të këtyre shënimeve dhe memories së tij të jashtëzakonshme. Shumë herë shënimet e tij tregojnë se janë lënë mënjanë e nuk janë përfunduar për një arsye ose një tjetër. Analiza e disa të tjerave tregon se ato janë nisur, janë lënë mënjanë dhe ai është kthyer tek ato pas shumë kohësh për t’i përfunduar. Ky gjeni i muzikës arrinte të kompozonte me mendjen e tij vepra të tëra dhe bile në kohë shumë të shkurtër. Nga materialet e mbledhura, mendohet se ai duhet të ketë punuar 6 deri në 8 orë çdo ditë për vite me radhë për të realizuar ato që ne kemi në dorë tani. Më tepër se 40 vepra ku përfshihen marshe, koncerte apo simfoni të tij nuk janë gjendur akoma.

Moxarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij. Menjëherë, pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit.

Për këtë arsye Moxarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.

Pas premierës së saj në shtator të 1791-shit, dukej sikur gjërat po merrnin për mirë për të dhe familjen e tij pas disa viteve në krizë të thellë ekonomike. Por për ironi të fatit, kur kishte punuar rreth 30% të veprës së parapaguar “Rekuiem”, në nëntor ai sëmuret rëndë. Pavarësisht nga mjekimet dhe përkujdesjen e mjekëve më të njohur të Vjenës, gjendja e tij sa vinte dhe keqësohej për t’u finalizuar me vdekjen e tij të parakohshme në 5 dhjetor të 1791-shit. Nuk ka asnjë raport në këtë datë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së tij. Teori për vrasje apo helmim qarkullojnë deri në ditët tona. Mjekët folën jo me qartësi edhe për komplikacione të reumatizmit apo temperaturës së lartë, por çdo gjë mbetet mister. Volfang Amadeus Moxart u varros në një varrezë periferike pa shumë ceremonira. Për shkak se familja apo admiruesit e tij nuk vunë menjëherë shenjë dalluese mbi varrin e tij, vendndodhja e saktë akoma nuk dihet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›