E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Zgjedhjet zhvillohen edhe pa Partinë Socialiste

23/02/2011  Kreu i KQZ-së siguron se zgjedhjet do të zhvillohen në datën e dekretuar

Një ditë pas vendimit për të ndërhyrë në zëvendësimin e vendeve vakante në 66 KZAZ-të, të krijuara nga mosbashkëpunimi i opozitës me institucionin më të lartë zgjedhor në vend, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, në një dalje publike të bërë mëngjesin e djeshëm, bëri një paraqitje mbi ecurinë e deritanishme të procesit të organizimit të zgjedhjeve nga institucioni që ai drejton. Dhe sa i përket vendimit të dy partive opozitare parlamentare, Ristani theksoi se vendimi i tyre për të mos sjellë emrat e komisionerëve pranë KQZ-së është një vendim i fortë. “PS po sillet me brutalitet dhe agresivitet në një vend ligjor”, u shpreh Ristani. I pyetur nëse me këto kushte a do të ketë zgjedhje normale, kryetari i KQZ-së theksoi se “në këto kushte kemi mundësi të plota për të bërë zgjedhje, dhe se nuk dot ketë bllokim të zgjedhjeve. Por është për të ardhur keq që disa anëtarë të KQZ-së shkelin ligjin dhe mungojnë në mbledhjet e komisionit. Skenari i parë: nëse PS nuk merr pjesë në proces, zgjedhjet do të vazhdohen. Nëse do të marrin pjesë në zgjedhje dhe do të tërhiqen pikërisht ditën e zgjedhjeve, kjo është pak e vështirë, por ne kemi marrë masa për të monitoruar shumë mirë procesin”, tha Ristani. Tashmë KQZ-ja është në periudhë zgjedhore, shtoi më tej ai, dhe ne pothuajse çdo ditë bëjmë mbledhje, duke lënë të nënkuptohet se ende mund të priten emrat e PS-së.

Ndërsa në lidhje me kërkesën e opozitës, e cila kërkon riformatim të këtij institucioni, Ristani tha se është e mira që këto pretendime të shoqërohen me argumente. “Nëse Rama do të iki se unë dogja fletët e votimit, ai vetë ka shkruar këtë Kod Zgjedhor, ku parashikohet djegia e fletëve. Mesazhi që duhet të përcillet duhet të jetë korret dhe ligjor”, deklaroi Ristani. Ndër të tjera, Ristani sqaroi se në kriteret për të zgjedhur 66 anëtarët e KZAZ-ve do të zbatohet ligji, duhet të jenë të arsimuar me arsim të lartë, të jenë pranë zonave ku do bëhen zgjedhjet. “Gjithkush mund të aplikojë dhe ne do të presim kandidaturat dhe më pas do të seleksionojmë kandidaturat e duhura”, deklaroi Arben Ristani.

Ndërkombëtarët

Duke iu referuar reagimit të menjëhershëm nga ana e OSBE-së, e cila ka mirëpritur vendimin e KQZ-së për zgjedhjen e 66 anëtarëve, kryekomisioneri në KQZ u shpreh se “ne kemi bashkëpunim me organizatat që kanë impakt në zgjedhje dhe në këtë kuadër edhe me OSBE-në. Ne kemi fituar respektin reciprok ndaj njëri-tjetrit rreth këtij bashkëpunimi. Ata kanë ndjekur në mënyrë frekuente procesin, duke na asistuar edhe me ekspertë. Mbështetja që vjen së fundmi nga OSBE, është mbështetje ndaj ligjit, jo thjesht ndaj KQZ-së”.

Thirrja e OSBE-së

Uollfarth: Opozita të kontribuojë për zgjedhjet lokale

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Uollfarth, gjatë një vizite pune në qytetin e Elbasanit, u bëri sërish apel forcave politike shqiptare që në datën 8 maj duhet të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe për këtë është i domosdoshëm dhe bashkëpunimi i partive opozitare me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Opozita nuk duhet të mungojë në komisionet zgjedhore.” Ky ka qenë mesazhi i ambasadorit të OSBE-së, Eugen Uollfarth të cilin ua ka drejtuar partive politike nga Elbasani. Sipas tij, KQZ-ja gjeti një zgjidhje alternative për vendet vakante pas vendimeve bllokuese që erdhën nga partitë. Ambasadori i OSBE-së ka nënvizuar domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të mos humbin kohë të përgatisin së bashku zgjedhjet vendore. Uollfarth deklaroi se askush nuk duhet të ketë iluzione për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve lokale. Gjithsesi, ai u tregua optimist për situatën, pasi, siç u shpreh ai, “presim zhvillime pozitive”.

Marrëveshja me KKRT-në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar paraditen e djeshme një marrëveshje pune me Këshillin Kombëtar të Radiotelevizioneve, e cila do të kontribuojë në pasqyrimin dhe monitorimin e plotë të procesit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme vendore, që do të mbahen më 8 maj. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi se “kjo marrëveshje që po nënshkruajmë sot (dje) me KKRT-në, falë teknologjisë që ky institucion vë në dispozicion, bën të mundur zbatimin e ligjit të monitorimit të zgjedhjeve”. Ndërsa kryetarja e KKRT-së, Endira Bushati, gjatë fjalës së saj theksoi rëndësinë në procesin e monitorimit që do të ketë në të ardhmen dhe organizimi i sondazheve të ndryshme. “Monitorimi të shtrihet edhe nëpërmjet sondazheve në qarqet e tjera të vendit, dhe jo vetëm në qarqet Tiranë dhe Durrës. Në këtë monitorim ne jemi të hapur dhe do të ftojmë edhe shoqata të ndryshme që të merren me monitorimin e zgjedhjeve, si dhe do ftojmë studentë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Gazetarisë”, u shpreh Bushati.

Legjislacioni

Sipas legjislacionit në fuqi, përcaktohet se KZAZ-të zgjidhen nga QKZ-të dhe ligji i jep asaj të drejtë që kandidatët mund të zgjidhen dhe të zëvendësohen deri në ditën e zgjedhjeve. Gjithashtu, KQZ-ja ka për detyrë të zëvendësojë këto vende me intelektualë. Ndërsa komisionet e grupit të tretë zgjidhen nga KZAZ-të. Nga ana tjetër, parashikohet që përfaqësuesit e PS-së dhe PBDNJ-së mund të jenë në qendrat e votimeve, pavarësisht nëse për ata vendoset që nuk mund të jenë pjesë e KZAZ-ve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›