E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinho + Romario + Ronaldo = Messi

Mesfushori portugez, Deco, ish-anëtar i Barcelonës, thotë se Lionel Messi është kombinim i Ronaldinhos, Romarios dhe Ronaldos të shkrirë në një futbollist. 33-vjeçari lavdëron yllin argjentinas dhe beson se ai është rrugës për t’u bërë futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Nga Express më 23 gusht 2011 në ora 08:05

Ish-mesfushori i Barcelonës, Deco ka lavdëruar Lionel Messin duke deklaruar se ylli argjentinas është si Ronaldinho, Romario dhe Ronaldo të shkrirë në një futbollist.

Deco mendon se dy herë fituesi i Topit të Artë Messi është atraktiv si Ronaldinho si dhe realizatori i pafalshëm si Romario e Ronaldo.

Të tri legjendat braziliane gjatë karrierave të tyre kanë luajtur për gjigantin katalan njësoj sikurse Deco i cili me Barcelonën fitoi dy tituj në La Liga një kurorë në Ligën e Kampionëve gjatë katër viteve që kaloi në Nou Camp.

“Përveç të qenit sulmues tipik, i cili gjithmonë luan afër portës kundërshtare, ai (Messi) tashmë është bërë njëri prej sulmuesve më të mirë në histori të klubit”, tha Deco, 33 vjeç, për të përditshmen braziliane, Don Balon.

“Ai është spetakolar si Ronaldinho dhe golashënues i pafalshëm si Ronaldo dhe Romario. Ai i ka të gjitha brenda vetes. Ai shënon shumë gola, por edhe udhëheq lojën si futbollist me numrin 10. Messi është rrugës për t’u bërë futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave për shkak të efikasitetit të tij dhe aftësive teknike”, shtoi Deco.

Messi e kishte filluar karrierën e tij në Barcelonë në krahun e djathtë, por pasi kaloi në rol qendror në sulm kur gjiganti katalan filloi të përfiton nga aftësitë e tij. Ekipi i Pep Guardiolas fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar ndërsa Messi sërish ishte golashënuesi më i mirë i ekipit.

“Barcelona është skuadër e shkëlqyeshme. Jo vetëm se luajnë futboll të shkallës së lartë, por edhe për arsye se kanë Messin. Është e pamundshme të themi se për sa gjatë ata do të jenë në këtë shkallë por mendoj se i kanë edhe dy ose tre vite para vetes”, përfundoi Deco.

Në shkallën personale, Deco nuk është duke kaluar periudhë të suksesshme si ish skuadra e tij Barcelona dhe Messi. Ai është duke konsideruar mundësinë e pensionimit pasi lëndimi i fundit i ka pamundësuar të luan deri në shtator. Ky ishte dëmtimi i shtatë që pësoi Deco prej kur u transferua në Fluminense në kontratë dyvjeçare nga Chelsea më 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›