E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roshi: Vota për Ballin Kombëtar është për koalicionin e PD-së

14/06/2009  Balli Kombëtar Demokrat

Kryetari i partisë “Balli Kombëtar Demokrat”, Artur Roshi, gjatë një takimi elektoral në qytetin e Elbasanit, duke kërkuar votën për forcën politike që drejton, tha se do të jetë për koalicionin e partive të djathta të drejtuar nga Partia Demokratike. “Partia jonë është një parti e djathtë e fortë, me format perëndimor dhe më rrënjë të forta në historinë e kombit tonë. Duke votuar Ballin Kombëtar Demokrat, njëherësh keni votuar koalicionin e djathtë. Vota për partinë tonë nuk është votë kundër Partisë Demokratike dhe gjithë aleateve, por ajo ndihmon koalicionin, tonizon fitoren e së djathtës”, - ka deklaruar Roshi. Në vijim të fushatës nën moton “Zgjidh më djathtas”, Roshi nënvizoi se forca politike që drejton është natyrshëm në krah të qendrës së djathtë dhe jo për interesa politikë të çastit. “PBKD-ja është e palëkundur në qëndrimin e saj se partitë dhe koalicionet e majta nuk janë alternativë për Shqipërinë. Historia ka treguar, në mënyrë tragjike madje, se të majtët janë të zotët vetëm për t’i dëmtuar interesat politike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë”, - tha kreu i Ballit Kombëtar Demokrat. Duke prezantuar programin elektoral, Roshi nënvizoi se ashtu si gjatë gjithë historisë së saj edhe në këto zgjedhje PBKD ka prioritet kryesor çështjen kombëtare. Ai tha se PBKD-ja kërkon domosdoshmërisht rishikimin e historisë së kombit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›