E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet e tokës “u mbërrijnë” në derë banorëve

07/04/2009  Bashkia Peqin me urgjencë harton projektin për të ndërhyrë mes pilotëve dhe mureve mbrojtës

PEQIN- Teksa shkon për në lagjen “Teqe” të Peqinit, në pjesën e sipërme të saj do të duhet të përshkosh rrugën që të çon tek spitali dhe më pas të ndjekësh në këmbë pjesën e sipërme ku edhe është regjistruar lëvizja e tokës. Rreth 50 metra rrugë ka humbur gjurmët dhe dy fshatra kanë ndërprerë komunikimin me qytetin, por nuk është i vetmi shqetësim pasi kërcënimi më i madh i kanoset shtëpive dhe depove të ujit të pijshëm të qytetit të Peqinit. Pak ditë më parë në këtë zonë është ndërprerë energjia, pasi toka zhytet çdo ditë e më tepër dhe telat kanë zbritur shumë afër tokës, ndërsa familjet që e kanë më afër shqetësimin mundohen me mjete rrethanore të ndërhyjnë që rrëshqitja të mos vazhdojë me ritmin e shpejtë.

Me fatkeqësinë te dera...

Familja Hyra e ka vetëm dy metra larg themelit të shtëpisë këtë rrëshqitje. Ata mjaft të alarmuar kanë vendosur të mbulojnë me plastmasë vendin e rrëshqitjes që të mos bjerë shi në këtë rrëpirë e uji të mos ndihmojë rrëshqitjen e vazhdueshme të dheut. Gruaja e shtëpisë na thotë se ajo bashkë me fëmijët flenë tek të afërmit dhe vijnë gjatë ditës duke vëzhguar se sa ka lëvizur toka në një natë. Ajo na tregon se dy metra është zhytur vetëm gjatë dy ditëve të fundit dhe nëse vazhdohet kështu atëherë nuk do të jetë larg dita kur shtëpia do të përfshihet nga lëvizja e tokës. Gruaja thotë se ata nuk kanë të ardhura për të ndërtuar shtëpi tjetër. Burrin e ka të papunë, ndërsa ka tre fëmijë, dy prej të cilëve vajza dhe në shkollë. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe familja Sallufi në anën tjetër të kodrës. Pranë shtëpisë është krijuar një brez prej dy metrash rrëshqitje që ka vazhduar të zhytet. E gjithë lagja është në vështirësi dhe toka lëviz çdo ditë. Sipas banorëve, që me mjete rrethanore kanë bërë matjet, vetëm dy ditët e fundit zhytja ka qenë dy metra.

Depozitat e ujit

Një tjetër shqetësim për këtë lagje janë depozitat e ujit. Ato ndodhen rreth 10 metra nga rrëshqitja e madhe. Specialisti i urbanistikës pranë Bashkisë Peqin, Ilir Zyba, tregon se rrëshqitja ka përfshirë një sipërfaqe mbi dy hektarë në këtë kodër ku ndodhen 8 shtëpi në rrezen e lëvizjes së tokës dhe tre depozitat e ujit të qytetit të Peqinit. Është menduar që ndërhyrja të bëhet nëpërmjet pilotëve prej betoni, të cilat mund të ndalojnë erozionin duke penguar vazhdimin e tij. Projekti ka qenë i shpejtë pas mbërritjes së konkluzioneve të gjeologjisë dhe brenda pak ditëve në mënyrë urgjente Drejtoria e Urbanistikës do të nis projektin për miratimin e fondeve të nevojshme për ndërhyrjen e shumëkërkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›