E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet me 1000 lekë paga e punonjësve

14/05/2009  Qeveria vendos rritjen e pagës bazë minimale në rang vendi

Berisha thekson se qeveria ndjek një politikë të butë në rritjen e pagës minimale

Paga minimale në vend do të rritet me 1000 lekë të reja. Qeveria ka vendosur në mbledhjen e djeshme rritjen e pagës bazë minimale, e cila shkon nga 17 mijë në 18 mijë lekë në muaj, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj. Vendimi i marrë në mbështetje të Kushtetutës, të Kodit të Punës dhe të ligjit “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, saktëson se paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Gjithashtu saktësohet se paga bazë minimale orare të jetë 103 lekë të reja, ndërkohë që shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë. Vetë kreu i qeverisë ka deklaruar gjatë mbledhjes së rritja e rrogës bazë minimale në shkallë vendi është tepër e rëndësishme. Kryeministri Berisha ka thënë se qeveria ka ndjekur një politikë të butë të rritjes së pagave të punonjësve. “Për shkak të sektorit privat ne ndjekim një politikë të butë në rritjen e kësaj page, në mënyrë që të mos jemi agresivë në rritjen e pagave të sektorit publik”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Kryeministri ka vënë theksin në një raport të përpiluar nga Banka e Shqipërisë, të cilin e ka vlerësuar tepër pozitiv. Sipas Berishës, në këtë raport dëshmohet se gjatë këtyre 4 vjetve të fundit rrogat në sektorin privat janë rritur më shumë se në sektorin publik, i cili i ka rritur rrogat me një mesatare 68 për qind. “Banka e Shqipërisë dëshmon se kjo rritje është më e madhe në sektorin privat. Ky është një zhvillim shumë pozitiv”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë janë miratuar disa vendime me efekte sociale. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për dhënien falas të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e familjeve me ndihmë ekonomike. Kryeministri tha se ky vendim merret në kuadër të nismave dhe përpjekjeve të qeverisë për të luftuar varfërinë dhe për të siguruar mundësitë e shkollimit me tekste për të gjithë fëmijët që nuk kanë kushtet ekonomike. “Ne vendosim dhënien falas të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Shteti qëndron në anën e fëmijëve, pasi nuk mund të lejojmë që qytetari që ka vështirësi të paguajë shumën e rimbursimit, ta lërë fëmijën e tij pa tekste dhe pa shkollë”, - tha kreu i qeverisë. Ai vlerësoi se ky hap është shumë i rëndësishëm në rrafshin njerëzor, por është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm edhe për arsimin, pasi nuk do të ketë më nxënës që t’i mungojnë librat në shkollë. Duke folur para trupës ministrore, Berisha siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë për një tjetër grup të kufizuar njerëzish në vështirësi të skajshme ekonomike, të cilët në tërësi janë nëna me fëmijë jetimë, të divorcuar apo në fatkeqësi të kryefamiljarëve të tyre. Duke iu referuar një studimi të Bankës Botërore, UNDP-së dhe Institutit të Statistikave, Berisha tha se në një hark kohor 3-vjeçar 200 mijë shqiptarë dolën qartësisht nga varfëria. Në muajin maj të këtij viti 170 mijë qytetarë që kishin të ardhura mujore nën 2 dollarë kaluan përtej kufirit të varfërisë, me të ardhura mbi 2 dollarë. Kreu i qeverisë vuri në dukje se ka defekte shumë serioze në skemën e shpërndarjes. Në rast se ky fond nuk mjafton, qeveria është e gatshme të vendosë të tjera, por ajo nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa një rishqyrtim të transparencës dhe ndershmërisë së aplikimit të kësaj skeme.

Shtohen ilaçet me rimbursim

Qeveria ka miratuar vendimin për listën e re të rimbursimit të barnave nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, e cila përmban rreth 70 artikuj të rinj mjekësor. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kjo listë është më e gjera që është miratuar ndonjëherë dhe është produkti i një konsulte të gjerë dhe i respektimit të ndjeshmërive dhe kërkesave të ndryshme. “Lista është zgjeruar në mënyrë të ndjeshme me rreth 70 artikuj të rinj në saje të performancës së mirë financiare, menaxhimit shumë më të mirë të fondeve të përcaktuara për rimbursimin e barnave, të një transparence të përgjithshme më të madhe në tregun farmaceutik”, - ka thënë shefi i ekzekutivit gjatë mbledhjes së djeshme. Duke e konsideruar këtë vendim një zhvillim shumë pozitiv, Kryeministri tha se Instituti i Sigurimeve Shëndetësore jo vetëm që përballoi me fonde plotësisht skemën e zgjeruar tashmë të listës së rimbursimit, por hap pas hapi po bëhet blerës kryesor i të gjitha shërbimeve shëndetësore. Për Berishën kjo përbën bazën e një reforme të thellë shëndetësore që qeveria do të ndërmarrë që vitet e para të mandatit të dytë.

Projekti i ullinjve

Kryeministri Berisha ka bërë me dije se numri i fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë në funksion të projektit për mbjelljen e ullinjve është rritur ndjeshëm. Për të ky është një hap shumë pozitiv, pasi aplikimet bëhen me projekte të qarta, të studiuara dhe të mirëpërcaktuara. “Ata që po merren me vlerësimin e projekteve konstatojnë se numri i projekteve fituese është shumë i madh. Në këtë drejtim, veçanërisht është ndezur dhe po ndizet çdo ditë e më shumë ajo që mund ta quajmë “ethja” e ullirit, ku përmes subvencionimit janë mbjellë mbi 2 milionë rrënjë ullinj në 4 muaj”, - tha Berisha. Sipas tij, në rreth gjashtë muaj janë mbjellë pothuajse sa gjysma e numrit të rrënjëve të ullinjve që ekzistojnë në Shqipëri, ku janë gjithsej rreth 5 milionë rrënjë. Kryeministri tërhoqi vëmendjen që granti i qeverisë t’u lëvrohet fermerëve fitues nga aplikimi, sipas sezonit dhe specifikave përkatëse, ku projekti i ullirit mbetet parësori. Ai tha se për zonën verilindore dhe juglindore, për zonën nga Delvina deri në Dukagjin, do të përpunohen kritere të reja, rigorozisht të bazuara në projekte, pasi sipas tij për këtë zonë nuk mund të jenë të vlefshme kriteret e Myzeqesë, të Lezhës, Shkodrës apo Korçës.

Vendim qeverie

Rritet numri i punonjësve me kontratë të përkohshme

Qeveria ka vendosur rritjen e numrit të punonjësve në sistemin arsimor. Përmes një vendimi Këshilli i Ministrave ka rritur numrin e punonjësve mësimorë dhe të tjerë me kontratë të përkohshme për sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën janar-qershor 2009. Në bazë të këtij vendimi, numri i punonjësve në arsimin shqiptar do të jetë 3061 veta. Vendimi i marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë për rritjen e numrit të punonjësve në arsim mbështetet në Kushtetutë dhe në Kodin e Punës. Propozimi për rritjen e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme u propozua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ky vendim vjen në një kohë kur viti shkollor po afrohet fundit. Por kjo nuk është rritja e vetme që ka barë qeveria shqiptare gjatë muajve të fundit. Kështu, në mbledhjen e 6 marsit të këtij viti Këshilli i Ministrave vendosi shtimin e punonjësve me kontratë të përkohshme në administratë. Përmes këtij vendimi qeveria ndërhyri në vendimin e marrë në fillim të shkurtit të kaluar, duke theksuar se numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2009 për ministritë dhe institucionet qendrore është 2430 punonjës, ndërkohë që ishte 1618 punonjës. Ndërsa në mbledhjen e 22 prillit të këtij viti qeveria vendosi shtimin e numrit të punonjësve në administratën publike. Në atë vendim thuhet se numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2009 për ministritë dhe institucionet qendrore do të arrijë në 2568 punonjës.

Punësimi

Berisha premton dyfishimin e vendeve të punës

Kryeministri Sali Berisha ka premtuar se gjatë katër vjetve të ardhshëm të qeverisjes së vendit numri i të punësuarve në Shqipëri do të dyfishohet. Shefi i ekzekutivit ka bërë këtë premtim elektoral gjatë ceremonisë së çeljes së edicionit të nëntë të panairit të punës, i cili organizohet nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. “Sipërmarrësit shqiptarë gjatë këtyre katër vjetve, në rast se qeveria në administratë shkurtoi me rreth 30 për qind vendet e punës, ata punësuan rreth 80 mijë punonjës të përhershëm në sipërmarrjet e tyre. Premtimi dhe zotimi im është që gjatë katër vjetve që vijnë ky numër të dyfishohet”, - tha Kryeministri Berisha. Duke folur rreth situatës ekonomike botërore dhe përballjes me krizën e rëndë financiare, shefi i ekzekutivit tha se Shqipëria po i reziston kësaj krize. Ai theksoi se politika e taksave të ulëta dhe reformat e ndërmarra nga qeveria rezultuan efikase. “Kam qenë gjithnjë tepër i bindur se politika më e mirë janë taksat e ulëta. Një ditë u kënaqa shumë kur zbulova një studim mjaft të rëndësishëm të “Oxfordit”. Pas një studimi shumë të gjatë dhe serioz, studiuesi erdhi në përfundimin se ‘çdo dollar amerikan i ulur për taksën e fitimit do të thotë 0.54 dollarë për punëtorin’. Pra, ajo që mendohej se godet kapitalistin, u faktua se godet punëtorin me politikën e taksës së lartë”, - tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›