Te evakuuarit nga rreshqitja e tokes perplasen me policine
Banorët e Komunës Kurjan të Fierit ende nuk janë dëmshpërblyer për dëmet që pësuan një vit më parë nga rrëshqitjet e tokës. Fenomeni i çarjes së tokës la të pastreha të paktën 50 familje dhe autoritetet lokale e ato qendrore vendosën që t’i evakuonin banorët në hapësira publike. Kështu u vendos që 15 familje të vendoseshin në godinën e ish-çerdhes së qendrës së komunës. Kjo zgjidhje nga provizore u kthye në definitive, pasi shteti nuk ndërhyri për dhënien e zgjidhjeve konkrete për ta. Por, pak ditë më parë, komuna “prishi” qetësinë e familjeve të vendosura në godinën e ish-çerdhes. Me anën e një urdhri, komuna u komunikonte banorëve të lironin ambientet e godinës. Urdhri nuk është respektuar nga banorët e mbetur në mes të katër rrugëve, kështu që kryetari i Komunës Kurjan, Hamza Toro, ka kërkuar ndihmën e policisë së rendit. Efektivë të kësaj të fundit kanë shkuar në fshat dhe janë përballur me banorët e indinjuar, të cilët tashmë ndihen të braktisur nga autoritetet lokale. Forcat e policisë së rendit që kanë shkuar të ndalin banorët, janë konfrontuar me këta të fundit. Familjarët kanë akuzuar segmente të policisë se janë korruptuar dhe kanë paguar elementë të saj për të mos i nxjerrë nga ndërtesa. Banorët akuzojnë se u kanë dhënë deri në 300 mijë lekë policëve për të mos i nxjerrë nga ambientet e ish-çerdhes. Ndërkohë, ata akuzojnë se u kanë kërkuar deri në 5 milionë lekë që të mos i shqetësonin sërish. Në këtë “aferë”, sipas tyre, përveç policisë janë përfshirë edhe drejtues të komunës. Ndërkohë Njazi Kuka, kryeplak i fshatit, tregon se ka qenë një vendim i këshillit të komunës që familjet u vendosën në godinën e ish-çerdhes. Godina, sipas Kukës, ka qenë tejet e amortizuar dhe banorët pothuajse e kanë rindërtuar atë për ta bërë të banueshme.