E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA apel politikës shqiptare: Angazhim për 8 Majin, po ju vëzhgojmë

UASHINGTON-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misonit amerikan në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, (OSBE), Ian Kelli kërkoi nga klasa politike shqiptare të angazhohen seriozisht për një proces zgjedhor për zgjedhjet lokale ndërsa ka komentuar dhe valën e ngjarjeve të 21 Janarit në vendin tonë.

Sic bën të ditur sesioni në shqip i ‘zërit të Amerikës’, përsa i përket gjendjes aktuale në Shqipëri, ambasador Kelli tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë janë shprehur me një zë në mesazhet dërguar qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste, si dhe popullit shqiptar.
“Të gjithë duhet t’i përmbahen kushtetutës, të zbatojnë ligjin, të respektojnë institucionet e pavarura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe plotësisht në procesin zgjedhor”.

“Zgjedhjet e 8 majit,-tha zoti Kelli,- janë një forum i ligjshëm për diskutimin dhe efektin e ndryshimeve politike. Shtetet e Bashkuara, krahas ODIHR-it do të vazhdojnë të ndjekin përgatitjet për zgjedhjet dhe janë gati të ndihmojnë për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të besueshëm”, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misionit amerikan në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, (OSBE), Ian Kelli.
Ambasadori Kelli , iu referua dhe ngjarjeve të 21 Janarit duke kërkuar që politika shqiptare të ndalë retorikëne ashpër, kjo edhe kundrejt Prokurorisë, ndërsa ka këshilluar institucionin e akuzës të hetohë besueshëm dhe thellë për ngjarjet që sollën 4 të vrarë.

“Në valën e ngjarjeve të 21 Janarit, komuniteti ndërkombëtar ka punuar intensivisht me të dy palët për një atmosferë që t’i shërbejë dialogut normal politik, tha ambasador Kelli. “Provokimet, përfshirë edhe retorikën e ashpër, nuk u shërbejnë interesave të Shqipërisë”, theksoi ai.

Hetimet e Prokurores së Përgjithëshme për ngjarjet e 21 janarit, tha më tej diplomati amerikan pranë OSBE-së, duhet të jenë në gjithëanëshme, të thella dhe të besueshme. Shtetet e Bashkuara, tha ambasador Kelli, i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe Partisë Socialiste të shprehin publikisht mbështetjen për autoritetin e Prokurores së Përgjithëshme për të kryer hetime të paanëshme.

Ambasadori gjithashtu shprehu dje edhe mbështetjen amerikane për përparimin e bërë nga Shqipëria dhe populli shqiptar gjatë 20 vjetëve të fundit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›