SHBA, ish-presidenti Bush nderon viktimat e 11 shtatorit

Ish presidenti amerikan George Bush, mori pjesë sot në një ceremoni në Pentagon në kuadër të veprimtarive për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Në ceremoni morri pjesë edhe ish sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë të sigurimit kanë shtuar përpjekjet për të kapur veprime të mundshme terroriste para 10 vjetorit të 11 shtatorit 2001.
Agjencitë e rendit në mbarë vendin kanë shtuar sigurinë për të parandaluar një sulm nga al-Kaida, degët e saj apo njerëz që mund të veprojnë të vetmuar. Agjencitë amerikane të rendit po përforcojnë sigurinë në objekte që mund të jenë objektiva të terrorizmit.
Masat e shtuara të sigurisë zbatohen ndërsa vendi kujton 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se nuk ka asnjë dokumentacion specifik për komplot nga al-Kaida, drejtuesi i vrarë i grupit, Osama bin Laden thuhet se kërkonte operativë që të fluturonin avionë të vegjël në aktivitete sportive me rastin e këtij përvjetori.