SHBA ofron 10 milionë dollarë për terroristin pakistanez

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për Hafiz Mohammad Saeed, themeluesi i grupit militant me bazë në Pakistan, Lashkar e Taiba.
Saeed aktualisht drejton grupin Jamaat ud Dawa, që konsiderohet si dega kryesore e LET, përgjegjës për sulmet e vitit 2008 në Mumbai të Indisë.
Një shpërblim tjetër prej 2 milionë dollarësh është njoftuar ndërkohë për Abdul Rehman Makki, kunati i Saeed dhe bashkëthemelues i LET.
Të dyja grupet, Lakshar e Taiba dhe Jamaat ud Dawa, ndodhen në listën e zezë të administratës së Shteteve të Bashkuara.
Uashingtoni zyrtar njoftoi shpërblimet për kapjen e tyre ose për informacionet që do të çojnë në arrestimin e tyre. Sulmi 3-ditor i kryer në nëntor të vitit 2008 nga 10 atentatorë në Mumbai la 165 persona të vdekur.