E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda në prag të sezonit turistik, ujërat e zeza pushtojnë plazhet

Saranda, qyteti që guidon mbi 150 mijë turistë në vit, është në pragun e inagurimit të veprimtarive promovuese për çeljen e sezonit të ri turistik. Fundi i prillit dhe fillimi i majit është bërë traditë që në qytet të gëlojnë veprimtaritë zyrtare për çeljen e sezoni të ri turistik të vitit 2009. Në këto veprimtari, bëhet kujdes që të paraqitet korpusi i vlerave të trashëgimisë kulturore, vlerat e etno-kulturore e si dhe plazhet, hotelet, bukuritë natyrore etj. Kujdesi vitet e kaluara është përqendruar si në të gjitha rastet e çeljes së sezonit turistik, tek pastërtia dhe çmimet konkurruese të shërbimeve, mallrave e kryesisht të menuve të pasura, të gatuara me mjeshtëri në kushtet higjieno-sanitare të nivelit të kërkuar nga vizitorët e huaj. Por nga ana tjetër është lënë pas dore kujdesi për mjedisin kolektiv si dhe disiplinimi i ujerave të zeza në pjesë të ndryshe të mjediseve publike në qytet, si tek plazhi i ri, pranë portit, në themelet e pikës së informacionit e ndërtuar së fundi dhe e pambaruar, në kryqëzimet e rrugës nr 5 me Lugun e Dardhës, në kryqëzimin pranë Gjimnazit, tek spitali, në Lagjen nr 4, tek Rrapi, tek selitë e partive, dhe në pjesën më të bukur të rrugës turistike Sarandë-Butrint. Kjo tregon edhe një herë  indiferencën dhe punën e dobët të strukturave të mjedisit dhe shërbimeve në Bashkinë e Sarandës. Prej gati 10 ditësh qytetarët zënë hundët me duar kur kalojnë pranë këtyre mjediseve të ndotura. Sipas specialistëve të ujëra-kanalizimeve dhe drejtorit të shërbimeve në bashki, kjo situatë e rënduar vjen kryesisht nga ndërhyrja e firmave ndërtuese në kolektorët e transportit të ujërave të zeza dhe të bardha me pretendimin se nuk është faji i tyre, duke harruar se kontrolli dhe administrimi i i territorit brenda bashkisë është e tyre, e bashkisë dhe strukturave të saj të ngritura për këtë qëllim. Edhe veprimtaria e firmave ndërtuese dhe lidhja e nyjeve të ujërave të zeza nuk mund të lidhen  pa lejen e bashkisë. Edhe kontrolli i cilësisë së punimeve të kryera përsëri i takon bashkisë, prandaj justifikimi i shkeljes së rregullave teknike nga subjektet ndërtuese nuk mund të përdoret si i tillë. Ajo që do të sugjeronte nga çdokush në këtë rast do të ishte marrja e masave të menjëhershme për stabilizimin e gjendjes në të cilën është katandisur qyteti bregdetar, i cili për 1 muaj pret turistët e parë. Prezantimi i qytetit të Sarandës me gjendjen aktuale në të cilën ndodhet, do të ishte turp por edhe fatkeqësi për këtë qytet, pavarësisht emrit që mban fajtori. Ky i fundit, ligjërisht duhet penalizuar, deri në shlyerjen e dëmit të shkaktuar ndaj qytetit dhe qytetarëve.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›