E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, falsifikoi dokumentet e pronësisë, ndjekje penale ndaj 53 vjeçares

Policia e Vlorës ka nisur hetimin në gjendje të lirë për një 53- vjeçare nga qyteti, pasi dyshohet të ketë falsifikuar për qëllime përfitimi dokumentet e një objekti, në pronësi të një bashkëqytetari. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se, 53-vjeçarja B. Kuçi do të hetohet penalisht në gjendje të lirë me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Sipas të njëjtave burimeve, kjo shtetase kishte paraqitur pranë organeve vendimmarrëse lokale dokumentet e pretendimit të pronësisë së një objekti, që, në fakt, i përkiste një shtetasi tjetër, i cili bëri dhe kallëzimin në komisariat. Ndaj 53-vjeçares nisi çështja penale, ndërsa dosja iu përcoll prokurorisë. Falsifikimi i dokumenteve zyrtare të pronësisë përbën një nga dukuritë shqetësuese, me të cilën përballen aktualisht organet e hetimit në qytetin e Vlorës. Vetëm gjatë këtij viti, prokuroria dhe policia kanë nisur hetimin për të paktën 5 raste. Ndërsa vjet, në gjykatën e Vlorës, u shqyrtuan 500 konflikte pronësie, në një pjesë prej të cilave, palët pretendonin për të njëjtin objekt, truall, apo sipërfaqe toke, me dokumente të siguruara në forma të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›