E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Aderimi në NATO në metrat e fundit, fat i qeverisë Berisha

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Pëllumb Xhufi me rastin mjaft të rëndësishëm të aderimit të Shqipërisë në NATO ka përgëzuar të gjithë ata që janë protagonistë të këtij procesit. Duke iu drejtuar qeverisë, Xhufi u shpreh se përgëzoj kryeministrin dhe ministrat e tij, të cilët patën fatin të drejtojnë vendin në metrat e fundit të kësaj sfide.Ai ka përgëzuar aleatët tanë të mëdhenj, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë rast mjaft historik, Xhufi shprehu dëshirën për ti bërë homazhet popullit shqiptar, i cili sipas tij, për asnjë çast nuk e humbi besimin dhe lidhjen e tij me vlerat perëndimore, as në momentet më të vështira të tranzicionit. Gjithashtu, Xhufi falënderoi dhe përgëzoi forcat tona të armatosura, ku sipas tij,iu nënshtruan reformave shumë të thella, shpesh herë dhe të dhimbshme. Më tej, Xhufi falënderoi edhe kolegët deputetë dhe kryetaren e Parlamentit, e cila sipas tij, shpesh herë ka vepruar dhe ka folur në emrin tonë, të të gjithëve, por jo gjithmonë ka folur dhe ka vepruar realisht në emrin tonë. Xhufi theksoi se lufta për Kosovën ka qenë një ngjarje e shënuar, ka qenë hallka më e fuqishme që e lidhi kombit shqiptar, që e lidhi Shqipërinë me NATO. Ai vijoi se ka qenë një fazë e shkëlqyer bashkëpunimi jo vetëm ushtarak, por politik dhe humanitar. Të tjera faqe të shkëlqyera janë shkruar ndërkohë, tha Xhufi. Ai vuri në dukje se Forcat tona të Armatosura janë angazhuar në skenarë të ndryshëm të sigurisë në vende të ndryshme të botës, janë angazhuar me nder dhe lavdi në Bosnje, në Irak, Afganistan, në Çad apo Gjeorgji. Gjithashtu, theksoi Xhufi, se Forcat tona të Armatosura kanë marrë pjesë me sukses në nisma të ndryshme të zhvilluara në kuadrin e partneritetit për paqen. Sipas tij, janë ballafaquar me sukses në Këshillin e NATO-s, në kuadër të MAP, të Plan Aksionit për Anëtarësim, dhe sot Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipëria është anëtare e NATO-s, si rezultat, në radhë të parë, i një vokacioni dhe një orientimi pro perëndimor që ky popull ka pasur gjatë gjithë historisë së tij, që nga koha e Skënderbeut, vokacion që nuk është vrarë as në vitet e diktaturës, theksoi Xhufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›