Thaçi mirëpret investitorët italianë
Kryeministri Hashim Thaçi ka pritur zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Alfredo Manitika, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Thaçi ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Italisë për mbështetjen për Kosovën, para dhe pas shpalljes së pavarësisë dhe tash në kuadër të EULEX-it dhe KFOR-it.
“Thaçi me këtë rast ka njoftuar Mantiaka me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2010 të cilat konsistojnë në angazhimet për plotësimin e standardeve evropiane dhe të agjendës së integrimeve evropiane”, thuhet në komunikatën e zyrës së informacionit të kryeministrisë.
Sipas komunikatës, kryeministri Thaçi ka veçuar angazhimet e Qeverisë lidhur me zhvillimin ekonomik dhe tërheqja e investitorëve të huaj.
“Jemi në prag të fillimit të projekteve kapitale të investimeve publike, autostradës Morinë- Merdare , Kosovës së Re, privatizimit të Valës, koncensionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës”, ka shpjeguar Thaçi dhe ka mirëpritur investitorët italianë.
Në takim është diskutuar edhe integrimi i minoriteteve sipas dokumentit të presidentit Ahtisari.
“Zgjedhjet lokale në Kosovë kanë përfunduar me sukses, të qeta, të rregullta, demokratike dhe shumetnike. Kryetarët e komunave me shumicë serbe nga këto zgjedhje e kanë përkrahjen time të plotë dhe të Qeverisë së Kosovës “ ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Alfredo Manitika, me këtë rast ka falënderuar kryeministri Thaçi për takimin e hapur dhe ka siguruar atë për mbështetjen e palës italiane për Republikën e Kosovës edhe zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve.