E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu mbështetje për Prokurorinë e Kosovës

Do të përkrah sundimin e ligjit dhe kryerjen e përgjegjësive nga ana e Prokurorisë së Kosovës për hetimin e zyrtarëve të shtetit. Kështu u shpreh Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë takimit me Prokurorin e Kosovës, Ismet Kabashi, ndërkohë që nuk ka dashur të prononcohet rreth deklarimeve të disa zyrtarëve ndërkombëtarë se EULEX-i i ka kërkuar Kryeministrit Thaçi largimin e tre ministrave të kabinetit qeveritar.

“Unë nuk merrem me paragjykime, organet e sistemi prokurorial dhe gjyqësor duhet ta bëjnë punën e vet pavarësisht për secilin njeri që mund te ketë adresë së ka bërë shkelje të Ligjit, dhe unë nuk do të them se mund të jetë ky apo ai... Unë do të përkrahi sundimin e plotë të Ligjit dhe zbatimin e mirë të punës dhe përgjegjësive që kanë këto institucione të cilat kanë një mision fisnik”, tha Fatmir Sejdiu, President i Kosovës.

Ndërsa Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, i ka premtuar Presidentit Sejdiu se prokurorët do të japin kontributin e tyre maksimal në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“E sigurova presidentin se prokurorët në të ardhmen do të japin kontributin e tyre në sundimin e Ligjit dhe në luftimin e të gjitha dukurive të cilat e pengojnë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt Evropës”, u shpreh Ismet Kabashi, Kryeprokuror i Kosovës.

Sipas një të përditshmeje kosovare që bazohet në disa burimeve ndërkombëtare në Prishtinë thuhet se përfaqësuesit e EULEX-it i kanë rekomanduar Kryeministrit Thaçi që pas procesit të riformatimit të qeverisë të vazhdojë reformat, duke u kërkuar fillimisht dorëheqjen edhe tre ministrave tjerë, të cilët dyshohen se janë përfshirë në korrupsion, krim të organizuar, apo shpërdorime financiare.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›