Selanik, kapet duke vjedhur i mituri shqiptar, vendoset riatdhesimi i tij familjarisht
Një djalë në moshën 11 vjeç, fëmijë i një familjeje emigrante në Greqi, u kap nga policia pasi akuzohet për plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë private. I vogli shqiptar, së bashku me një person të rritur, sipas policisë së Selanikut, shkatërruan natën duke gdhirë dita e djeshme, një lokal në rrugën Plastira nr 20 në zonën e Ambelokipus.
Që të dy, sulmuan bar Sport caffe, rrëmbyen më parë gjashtë ndër dhjetë televizorë plazma dhe më tej, e shkatërruan lokalin duke u përpjekur të zhduken pastaj, në drejtim të paditur, deklaroi policia greke. Fëmija mbeti brenda dyqanit, kurse i rrituri arriti të largohet për ti shpëtuar ndjekjes së mundshme policore. Autoritetet policore greke thanë se 11- vjeçari, nga hetimet e kryera, rezultoi se ishte pjesëtar i një bande të organizuar plaçkitjesh dhe sulmesh grabitëse. Ndërkohë, policia deklaroi se si masë ndëshkimore ndaj ngjarjes, ka vendosur të riatdhesojë forcërisht fëmijën së bashku me dy prindërit e tij, edhe pse ata jetojnë familjarisht me dokumente të rregullta në Greqi.