Selimi: Asgjë personale me Vetëvendosjen

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, sot e kanë hapur konferencën ndërkombëtare dyditore “Gërmia Hill”.
Gjatë një paraqitje për media, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha se konferenca ka filluar mbarë dhe se pjesëmarrja e madhe e personaliteteve politike nga vende të ndryshme mund të quhet si sukses për Kosovën.
“Konferenca filloi mbarë, mbi 100 pjesëmarrës kanë ardhur për të diskutuar tema që nuk janë ngushtë të lidhura me Kosovën, por janë tema panevropiane. Jemi të gëzuar që kemi arriture të krijojmë një platformë të re ku çdo vjet kosovarët do të jenë nikoqir të debateve evropiane”, ka thënë ai.
Pjesëmarrës në këtë konferencë kanë qenë edhe deputetë të të gjitha partive politike, mirëpo asnjë i subjektit politik Vetëvendosje, madje as Albin Kurti edhe pse ky udhëheq me Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvend.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një letër proteste dërguar MPJ-së, e ka quajtur sjellje të papranueshme faktin që subjekti i tyre nuk është ftuar për të marrë pjesë në konferencë.
Por zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi thotë se përveç disa ministrave kyç në politikën e jashtme, ekspertëve ndërkombëtarë dhe analistë lokalë që janë marrë me temën panevropiane, nuk janë thirr partitë politike dhe as ministrat tjerë.
“Zoti Kurti është deputet, ne nuk i kemi thirr deputetët e Kosovës, ka shumë, janë 120. I kemi thirrur personat të cilët në rrjetin e ECPR-së, që kanë marrë pjesë edhe më herët në konferencat e tilla. Nuk ka asgjë personale, me siguri edhe në raste të tjera do t’i thërrasim. Por kjo konferencë, nuk është as e Kuvendit, as ministrisë, është konferencë evropiane”, është arsyetuar ai.
Ndryshe shteti i Kosovës për herë të parë organizon një konferencë me mbi 100 pjesëmarrës nga mbarë bota, përfshirë ministra të punëve të Jashtme, zv. shefa të shtatmadhorisë ushtarake, ekspert të shoqërisë civile, gazetarë, medie të famshme botërore, të cilët do të mblidhen në Kosovë për dy ditë dhe do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane.
Vetëvendosje s’ftohen në Gërmia Hill – presin përgjigje nga MPJ
Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një letër proteste në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, konkretisht tek ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, që ka të bëj me konferencën për politikë të jashtme, që është organizuar dhe pagëzuar me emrin “Gërmia Hill”, për të cilën po thuhet se është njëra prej konferencave më të mëdha të këtij lloji të organizuar në Kosovë.
“Nga lista e pjesëmarrësve kuptuam se në të janë ftuar dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe deputetë të caktuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më saktësisht në të janë ftuar deputetë nga Grupi Parlamentar i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Unë nuk e di nëse Grupet tjera Parlamentare kanë qenë të ftuara dhe nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Por e di një gjë për të sigurtë: se asnjë deputetë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk ka pranuar ftesë për këtë konferencë. Dhe kjo është e papranueshme”, shkruan në këtë letër, e cila është e nënshkruar nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
“Pavarësisht bindjeve partiake dhe personale të Ministrit dhe/ose Zëvendës Ministrit, organizimet që bëhen nën logon e institucioneve politike të Republikës sonë dhe me paratë publike të qytetarëve të Kosovës, nuk guxojnë ta anashkalojnë asnjë subjekt politik të vendit. Kjo konferencë nuk është private dhe nuk i lejohet askujt ta trajtojë si të tillë, pra ta privatizojë atë, siç keni bërë me vendimin për atë se kush do të ftohet në të”.
Ndryshe Vetëvendosje ka thënë se kjo sjellje nuk është e hishme për shkak se Kryetar i Komisionit të Kuvendit për Politikë të Jashtme, Albin Kurti, i cili nuk ka marrë ftesë vetëm e vetëm se është deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! “Kjo nënkupton që Ministria e ka anashkaluar Kuvendin. Pra, që ekzekutivi dëshiron ta heshtë përfaqësimin”.
“Qeveria e Kosovës duhet t’i kuptojë dy gjëra që janë tejet të rëndësishme në demokraci: se institucionet publike janë të paprivatizueshme; dhe se në demokraci ekzistojnë koncepte të ndryshme të politikës të cilat kanë të drejtë të flasin, veprojnë dhe të dëgjohen. Këtë anashkalim të qëllimshëm që i ka bërë në këtë rast Grupit tonë Parlamentar Ministria e Punëve të Jashtme, nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveç si tentim për ta bërë zërin tonë të padëgjueshëm në këtë forum të rëndësishëm për politikën e jashtme. Ky tentim heshtjeje e paraqet Kosovën gjithsesi të mangët në debatin politik dhe është një pasqyrë jashtëzakonisht e keqe edhe para personaliteteve tjera politike nga vendet e jashtme. Ministri apo Zëvendësministrat mund të mos pajtohen me ne. Por ata në asnjë mënyrë nuk guxojnë dhe nuk mund të na heshtin”, thuhet në këtë letër të nënshkruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjës Vetëvendosje, Visar Ymeri, ku në fund thuhet se presin përgjigje zyrtare me shkrim nga Ministria e Jashtme për këtë çështje.