Serbët bllokojnë magjistralen Mitrovicë - Zveçan

Qindra serbë të veriut të Mitrovicës kanë bllokuar të martën rreth mesditës magjistralen Mitrovicë-Zveçan, duke kundërshtuar rotacionin e paralajmëruar të komandantëve të stacioneve policore në veri të Kosovës.
Në lajmin se komandanti Dragan Stefanoviq nga Leposaviqi, ka marrë detyrën e re në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, protestuesit kanë bllokuar rrugën për në hyrje të këtij stacioni policor.
I ashtuquajturi kryetar i komunës në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq ka thënë se rreth rotacionit eventual të komandantëve policorë në veri, duhet të arrihet marrëveshje me vetëqeverisjen lokale, dhe se qytetarët me tubimin e tyre kanë treguar se nuk pranojnë veprimet e njëanshme të Prishtinës.
“Kjo është për fat të keq edhe një tentim nga ana e Prishtinës që të destabilizojë situatën në veri”, tha ai, duke shtuar se në bazë të informatave me të cilat disponon ai, tek ura lindore e Ibrit janë rreth 15 automjete të Policisë së Kosovës, përkatësisht të njësisë speciale ROSU, të cilat kanë qenë të gatshme për të intervenuar.
Sipas tij, ata kanë kërkuar nga përfaqësuesit e EULEX-it që të mos lejojnë hyrjen në veri të njësisë ROSU, sepse kjo mundë të shkaktojë përleshje serioze.
“Kemi marrë premtime se pjesëtarët e ROSU-së nuk do të hynë në veri, ndërkohë që me kërkesën tonë, nga stacioni policor në veri të Mitrovicës është tërhequr komandanti i sapo emëruar, Dragan Stefanoviq, i cili ka premtuar se nuk do të kthehet më”, ka thënë Pantiq.
Ai ka paralajmëruar se nëse përsëritet një skenar i tillë i rrotacionit të komandantëve, do të ketë bllokadë 24 orëshe të rrugëve nga ana e qytetarëve serbë.
Ndryshe, pas një orë bllokade, magjistralja është liruar dhe protestuesit janë shpërndarë të qetë, ndërsa Stefannoviq ka kaluar në stacionin policor në jug të Mitrovicës.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, ka konfirmuar se rreth orës 11.30, 200 deri 300 qytetarë serbë kanë protestuar kundër rrotacionit në strukturën komanduese të policisë së Kosovës në veri.
“Diku rreth orës 13.00, protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident”, ka thënë Hoti. (KosovaPress)